E mërkurë, 20 Maj 2026
54°F Detroit
BallinaShqiperiaAdministrata Tatimore forcon kontrollet për sezonin turistik 2026 për të ulur informalitetin

Administrata Tatimore forcon kontrollet për sezonin turistik 2026 për të ulur informalitetin

Administrata Tatimore ka planifikuar të intensifikojë kontrollet gjatë sezonit turistik 2026, me qëllim formalizimin e sektorit dhe rritjen e të ardhurave fiskale. Plani sektorial synon të identifikojë subjektet me rrezik të lartë duke përdorur analiza të të dhënave në kohë reale dhe kontrolle të targetuara ndaj mospërputhjeve në xhiro, numrin e punonjësve dhe aplikimin e TVSH-së.

Sipas TV Klan, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve thekson se do të aplikohen kontrolle të bazuara në analizën e riskut, me kërkesën për deklarim të saktë dhe të plotë të të ardhurave nga çdo aktivitet turistik. Do të monitorohet gjithashtu deklarimi i punonjësve dhe zbatimi i pagave indikative, si dhe zbatimi korrekt i faturimit elektronik.

Plani përfshin një monitorim të zgjeruar në terren dhe vëzhgim të aktiviteteve në platformat digjitale, përfshirë rezervimet online. Do të përdoren të dhëna nga platforma si Booking dhe Airbnb për të identifikuar aktivitete të padeklaruara, ndërsa kontrollet do të kryhen edhe pa paralajmërim për të verifikuar deklarimet dhe sjelljet devijante të subjekteve.

Qëllimi i masave është ulja e informalitetit dhe rritja e përputhshmërisë fiskale, për të bërë sektorin e turizmit më të qëndrueshëm dhe konkurrues, raporton TV Klan.

Lini një koment