E mërkurë, 11 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Lajme nga Shqiperia›Veliaj kërkoi të marrë pjesë në Asamblenë e PS, Balla: Përballjen me drejtësinë, çdo përfaqësues i PS e ka më vete

Veliaj kërkoi të marrë pjesë në Asamblenë e PS, Balla: Përballjen me drejtësinë, çdo përfaqësues i PS e ka më vete

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka komentuar kërkesën e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, për të marrë pjesë në mbledhjen e Asamblesë së PS-së, e parashikuar të zhvillohet më 14 nëntor.

Pas mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve, në një prononcim për mediat, Balla deklaroi se Partia Socialiste nuk do të bëhet mburojë për asnjë prej përfaqësuesve të saj në përballjen me drejtësinë.

Ai theksoi se çështjet që lidhen me drejtësinë janë kompetencë e organeve përkatëse dhe nuk përbëjnë vendimmarrje të strukturave të partisë.

“Sa i përket kohëzgjatjes së paraburgimit, jemi në këto kushte për shkak të një nonsensi të krijuar në shkelje të parimeve bazë të të drejtave të njeriut. Sa kohë që një çështje ka shkuar në gjykim, mbajtja në paraburgim është një shkelje e parimeve themelore dhe madje e vendimeve të Gjykatës Europiane të njëpasnjëshme. Telenovela që doni të krijoni për këtë. Në përballjen me drejtësinë, çdo përfaqësues i PS e ka më vete, PS nuk bëhet mburojë e askujt dhe i lutem çdo përfaqësuesi të mos na përfshijë dhe të mos përfshijë organet e PS në këtë. Këto vendimmarrje nuk janë vendimmarrje të Asamblesë së PS, Kryesisë së PS, por të organeve të drejtësisë”, tha Balla.

Të martën (10 nëntor), Veliaj iu drejtua me një letër Sekretarit të Përgjithshëm të PS-së, Blendi Klosi dhe prokurorit të çështjes në SPAK, duke kërkuar që të jetë i pranishëm fizikisht në mbledhje ose, nëse kjo nuk është e mundur, përmes një lidhjeje me videokonferencë. Ai kërkoi që t’i krijohet mundësia të ndjekë diskutimet, të marrë fjalën, të paraqesë propozime dhe të marrë pjesë në vendimmarrje.

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Lini një koment