“Ne i kemi të qarta rekomandimet e BE”- Balla ironizon Berishën: Ka marrë formën e ‘studentit 80-vjeçar’, PD në bo
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka komentuar qëndrimin e Partisë Demokratike për reformën zgjedhore, duke ironizuar kreun e saj, Sali Berisha.
Në një komunikim për mediat, Balla deklaroi se shpreson që deri më 30 nëntor opozita të reflektojë dhe të bëhet pjesë e diskutimeve, ndërsa theksoi se ligji për financimin e partive politike duhet të miratohet brenda muajit dhjetor.
Sipas Ballës, mazhoranca do të bëjë të gjitha përpjekjet për të përmbushur rekomandimet e Bashkimit Europian, ndërsa akuzoi opozitën se nuk po tregon vullnet për përfshirje dhe konsensus në procesin e reformës.
Gjatë deklaratës, kreu i grupit parlamentar të PS-së ironizoi Berishën, duke e cilësuar si “student 80-vjeçar”. Balla komentoi gjithashtu qëndrimin e PD-së në Kuvend, duke thënë se ajo ndjek dy faza në raport me Parlamentin, ku aktualisht ndodhet në fazën e bojkotit.
“Unë ende shpresoj që deri më 30 nëntor të ketë reflektim nga PD-ja, por duhet të kuptoni që ligji për financimin e partive politike duhet të miratohet me çdo kusht nga Shqipëria brenda dhjetorit. Ne do të bëjmë të gjitha përpjekjet, edhe në funksion të asaj që thotë BE-ja. Ishte një kolege nga opozita që kishte nxjerrë detyrat e shtëpisë, ku detyra e parë ishte miratimi i reformës zgjedhore. E dyta ishte përfshirja sa më e madhe dhe konsensusi.
Por, kur nga pala tjetër nuk ka dëshirë për t’u përfshirë, ne e kemi të qartë që rekomandimet e BE-së janë detyrat e shtëpisë. Por ti nuk pranon fare dhe na nxjerr si forcë politike të protestës.
Sali Berisha merr formën e një studenti 80-vjeçar. Këtë lojë mund ta luajë me këdo tjetër, por jo me ne. Përfaqësuesi i PD-së, edhe në Konferencën e Kryetarëve, tha se 45 ligje që kemi propozuar ne nuk janë përfshirë. Zoti Peleshi i tha të lexonte kalendarin në program, sepse ishin përfshirë dhe, kur e lexoi, e pa që ishin përfshirë.
PD-ja ka dy faza në qasjen ndaj Kuvendit. E para është bojkoti dhe jemi në fazën e bojkotit deri kur të vijë gjeli i detit dhe bakllavaja”, tha ai.