E mërkurë, 11 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Kosova›Shiroka-Pula takohet me drejtorin e IRI-t, në fokus zhvillimi demokratik i Kosovës

Shiroka-Pula takohet me drejtorin e IRI-t, në fokus zhvillimi demokratik i Kosovës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka pritur në takim drejtorin e lartë për Evropë dhe Euroazi në Institutin Republikan Ndërkombëtar (IRI), Stephen B. Nix, me të cilin ka diskutuar për zhvillimin demokratik të Kosovës dhe bashkëpunimin shumëvjeçar ndërmjet Kosovës dhe këtij instituti.

Gjatë takimit, Presidentja vlerësoi kontributin e IRI-t në avancimin e demokracisë dhe forcimin e institucioneve demokratike në vend, veçanërisht në mbështetjen e partive politike, përmirësimin e organizimit të tyre dhe zhvillimin e komunikimit me qytetarët.

Ajo vlerësoi gjithashtu bashkëpunimin me Kuvendin e Kosovës, si dhe angazhimin e këtij instituti në fuqizimin e grave në politikë dhe në proceset vendimmarrëse.

Duke folur për zhvillimet në vend, Shiroka Pula theksoi se konsolidimi i demokracisë kërkon institucione funksionale, respektim të ndarjes së pushteteve, pavarësi të gjyqësorit dhe përgjegjësi institucionale.

Ajo nënvizoi rëndësinë e ruajtjes së rendit kushtetues, respektimit të kompetencave të secilit institucion dhe forcimit të besimit të qytetarëve në institucionet e vendit.

Në takim u diskutua edhe për mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe IRI-t, me fokus në edukimin demokratik, luftimin e dezinformimit, promovimin e debatit politik, sigurinë rajonale dhe perspektivën euroatlantike të Kosovës. /Telegrafi/

Lini një koment