E mërkurë, 11 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Lajme nga Shqiperia›Paketa e Maleve, Demo nga Elbasani: Brenda nëntorit zgjerohen zonat prioritare në Gjinar! Janë miratuar 400 zona prioritare n

Paketa e Maleve, Demo nga Elbasani: Brenda nëntorit zgjerohen zonat prioritare në Gjinar! Janë miratuar 400 zona prioritare n

Zonat prioritare të Paketës së Maleve në Gjinar të Elbasanit pritet të zgjerohen brenda muajit nëntor, duke u krijuar mundësi edhe banorëve që deri tani nuk përfshiheshin në zonat e miratuara për të aplikuar për investime.

Angazhimi u bë nga ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, gjatë një takimi me banorë, sipërmarrës dhe përfitues të Paketës së Maleve në Gjinar, ku u diskutuan mundësitë e zhvillimit të bizneseve familjare, turizmit malor dhe punësimit në zonë.

Në takim, ku ishin të pranishëm edhe kryebashkiaku i Elbasanit, Gledjan Llatja, zv.kryetarja e Kuvendit, Evis Kushi dhe deputeti Arbjan Mazniku, banorët ngritën shqetësime për problematikat e pronësisë, procedurat administrative dhe infrastrukturën që pengojnë realizimin e investimeve.

Demo deklaroi se brenda nëntorit pritet të miratohet vendimi i Këshillit të Ministrave për zgjerimin e zonave prioritare, bazuar në propozimin e Bashkisë Elbasan. Sipas tij, kjo do t’u mundësojë edhe banorëve të tjerë të nisin procedurat e aplikimit në Këshillin Bashkiak.

Ministri solli si shembull zhvillimin e Gjinarit, ku nga tri bujtina rreth dhjetë vite më parë, sot numërohen rreth 30 struktura akomoduese. Sipas tij, kjo dëshmon potencialin që turizmi malor ka për zhvillimin e ekonomisë lokale dhe krijimin e vendeve të punës.

Aktualisht, në shkallë vendi janë miratuar rreth 400 zona prioritare në 52 bashki, ndërsa në Gjinar janë regjistruar 21 aplikantë për të përfituar nga Paketa e Maleve.

Gjatë takimit, Demo bëri të ditur gjithashtu se Agjencia e Zhvillimit të Territorit ka krijuar një mekanizëm për trajtimin me përparësi të projekteve që përfshihen në këtë paketë, me qëllim përshpejtimin e procedurave të miratimit dhe nisjen e investimeve. Sipas tij, projektet e para kanë filluar të marrin miratimin dhe në disa zona pritet të nisë ndërtimi.

Një tjetër mundësi e prezantuar për sipërmarrësit ishte programi “Dyfisho Ndërmarrjen Tënde”, përmes të cilit bizneset ekzistuese mund të sigurojnë financim për zgjerimin e aktivitetit. Demo tha se programi ofron kredi me norma interesi 2–3% dhe mekanizma garancie shtetërore për kolateralin, në përputhje me kushtet e financimit.

Sipas ministrit, synimi i Paketës së Maleve është të nxisë investimet në zonat ku banorët kanë lidhjet e tyre familjare dhe pronësore, duke krijuar më shumë mundësi punësimi dhe duke frenuar largimin e popullsisë nga këto territore.

Lini një koment