E mërkurë, 11 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Bota›“Nëse nuk do të ishte politika, do të ishim miq të mirë”, zbulohet letra që Trump i la Bidenit në Zyrën Ovale

“Nëse nuk do të ishte politika, do të ishim miq të mirë”, zbulohet letra që Trump i la Bidenit në Zyrën Ovale

Një letër e shkruar nga Donald Trump për Joe Biden, të cilën ish-presidenti amerikan ia la pasardhësit të tij në Zyrën Ovale më 20 janar 2021, është bërë publike pas gati pesë vitesh.

Ish Presidenti Joe Biden ka zbuluar përmbajtjen e asaj që e përshkroi si një letër “shumë bujare”, të cilën paraardhësi i tij, Presidenti Trump, ia kishte lënë në Zyrën Ovale në vitin 2021 – një gjest që dëshmon për njëfarë vullneti të mirë mes kundërshtarëve politikë pas një fushate zgjedhore presidenciale tejet të ashpër.

Në këtë letër, e cila botohet e plotë në librin e ardhshëm të kujtimeve të Bidenit, “Promise Me, America”, Trump vlerëson dashurinë e Bidenit për vendin dhe shpreh besim te aftësia e tij për të udhëhequr, sipas një fragmenti të publikuar nga “The New York Times”.

“Tani keni mundësinë të zgjidhni vendin tuaj në histori dhe e di që do t’i qëndroni besnik vetes dhe popullit amerikan,” shkruan Trump në letrën e datës 20 janar 2021.

“Shumë presidentë kanë ardhur e kanë ikur, duke qeverisur thjesht si republikanë ose demokratë. Në thelb, ata nuk e ndryshuan historinë; thjesht u morën me vete nga rryma e saj e pandalshme. Kjo nuk do t’ju ndodhë juve, sepse e di se sa shumë e doni popullin amerikan.”

Letra ishte lënë në një zarf ku shkruhej “Për ‘46-ën’”, duke iu referuar renditjes së Bidenit në listën e presidentëve amerikanë. Pak pasi mori detyrën, Biden u tha gazetarëve se Trump i kishte lënë një “letër shumë bujare”, por nuk pranoi të zbulonte përmbajtjen e saj.

Shtëpia e Bardhë konfirmoi për “NewsNation” se letra është autentike, duke theksuar në një deklaratë se Biden nuk i mori parasysh fjalët e presidentit.

Kjo letër bie në kundërshtim të plotë me mënyrën se si Trump e trajtoi publikisht Bidenin – të cilin e sulmoi vazhdimisht gjatë fushatës presidenciale të vitit 2020 – përpara se të refuzonte të pranonte humbjen në zgjedhje. Trump gjithashtu theu traditën duke refuzuar të marrë pjesë në ceremoninë e betimit të Bidenit, e cila u zhvillua dy javë pasi mbështetësit e tij sulmuan Kapitolin më 6 janar 2021.

Sipas Bidenit, pavarësisht se Trump kishte destabilizuar demokracinë amerikane dhe nuk kishte respektuar traditën e kalimit të pushtetit, letra përmbante fjalë që mund të vinin nga një mik i vjetër. Në letrën e lënë në Zyrën Ovale, ai i uronte Bidenit sukses dhe i kujtonte përgjegjësinë e madhe që mbart posti i presidentit amerikan.

“Po të mos ishte politika, do të ishim miq të mirë”, shkroi ai.

Në librin e Bidenit, i cili pritet të dalë në shitje më 17 nëntor, ish-presidenti e pranoi këtë kontradiktë, duke shkruar se ishte “sikur të kishte dy Donald Trump-ë”.

Lini një koment