E mërkurë, 11 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Lajme nga Shqiperia›Apeli dënon me 7 vite e 4 muaj burg ish-kreun e Operacionales. Konfiskohen apartamente dhe 1.3 milionë euro

Apeli dënon me 7 vite e 4 muaj burg ish-kreun e Operacionales. Konfiskohen apartamente dhe 1.3 milionë euro

Gjykata e Posaçme e Apelit ka ndryshuar vendimin e Shkallës së Parë për ish-shefin e Operacionales, Oltion Bistrin, duke e dënuar përfundimisht me 7 vite e 4 muaj burg. Trupi gjykues vendosi ta shpallë fajtor edhe për veprat penale të pastrimit të parave dhe korrupsionit pasiv.

Vendimi u mor nga trupa gjykuese me relator Dhimitër Lara dhe anëtarë Daniela Shirka dhe Engert Pëllumbi.

Përveç dënimit me burg, Apeli vendosi edhe konfiskimin e tre apartamenteve, dy bizneseve dhe një shume prej 1.3 milionë eurosh.

Ndërkohë, për të pandehurit Edmond Preka, Astmer Bilali, Behar Bajri dhe Xhevahir Lita, Gjykata e Posaçme e Apelit la në fuqi dënimet e dhëna nga Shkalla e Parë.

Oltion Bistri, ish-shef i Forcës së Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit, u hetua nga SPAK në kuadër të një çështjeje që lidhet me grupin kriminal të drejtuar nga Behar Bajri. Emri i tij doli në hetimet mbi komunikimet në aplikacionin e koduar Sky ECC, ku dyshohej për lidhje dhe bashkëpunim me anëtarë të grupit kriminal.

Lini një koment