E mërkurë, 11 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Bota›EBA – Kushner: Takim me Putinin, më pas me Zelenskyn

EBA – Kushner: Takim me Putinin, më pas me Zelenskyn

ABU DABI, 11 nëntor /ATSH-ANSA/ – Të dërguarit amerikanë do të udhëtojnë nesër drejt Moskës për t’u takuar me Putinin dhe më pas do të shkojnë në Dublin për t’u takuar me Zelenskyn, bëri të ditur dhëndri i Donald Trump dhe ndërmjetësi amerikan Jared Kushner, i cili së bashku me Steve Witkoff po merr pjesë në negociatat në Abu Dabi.

”Rusia dhe Ukraina kanë arritur një marrëveshje për një shkëmbim të gjerë të të burgosurve, kushtet e së cilës do të bëhen të ditura së shpejti”, deklaroi kreu i delegacionit rus në bisedimet trepalëshe me SHBA-në dhe Ukrainën në Abu Dabi, Vladimir Medinsky.

Sot është dita e dytë e bisedimeve trepalëshe në Abu Dhabi mes Kievit dhe Moskës, me ndërmjetësimin e SHBA-së.

Përveç Kievit, Moskës dhe Uashingtonit, të pranishëm ishin edhe disa prej aleatëve kryesorë të Ukrainës, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, Francën, Gjermaninë, Italinë, NATO-n dhe Komisionin Evropian, të cilët megjithatë marrin pjesë në takime të zhvilluara në kuadër të bisedimeve.

Ukraina këmbëngul që Rusia t’i japë fund luftimeve përpara se të diskutohen çështjet e sigurisë evropiane.

”Nuk ka pasur kontakte mes delegacionit rus dhe përfaqësuesve të Bashkimit Evropian në Abu Dabi”, deklaroi zëdhënësi i presidencës ruse, Dmitry Peskov.

“Jo, kontakte të tilla nuk ishin planifikuar, nuk ishin parashikuar dhe nuk kanë ndodhur”, tha Peskov.

Kryenegociatori rus, Vladimir Medinsky, duke folur nga Abu Dabi në përfundim të bisedimeve, deklaroi se nuk ka pasur asnjë komunikim mes delegacionit rus dhe ekipit evropian, pasi qëndrimi i këtij të fundit është “i paqartë”.

“Për momentin, mendoj se do të ishte e dobishme që ata të mësonin nga të dërguarit amerikanë: arsyen e shëndoshë, realizmin dhe dëshirën për të arritur paqen”, tha Medinsky.

Ndërkohë, Ukraina shpreson të testojë sistemin e parë evropian të mbrojtjes kundër raketave balistike këtë dimër, sipas presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky.

“Shpresoj që këtë dimër të mund të testojmë sistemin e parë evropian të mbrojtjes kundër raketave balistike”, deklaroi Zelensky gjatë një takimi në Danimarkë, duke falënderuar industrinë daneze të mbrojtjes dhe partnerët e saj për bashkëpunimin dhe punën e kryer në kuadër të projekteve të reja./ a.jor.

Lini një koment