E mërkurë, 11 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Bota›TEHERAN – Irani sfidon SHBA-në: Asnjë gram uraniumi nuk do të largohet nga vendi

TEHERAN – Irani sfidon SHBA-në: Asnjë gram uraniumi nuk do të largohet nga vendi

– Irani nuk do të lejojë që asnjë sasi e uraniumit të pasuruar, të largohet nga territori i tij dhe paralajmëron se çdo sulm i ri amerikan do të pasohet nga një kundërpërgjigje ndaj bazave ushtarake të SHBA-së, edhe në distancë të largët, sipas “Reuters”.

Deklarata u bë nga Mohsen Rezaei, zyrtar i lartë i sigurisë në Iran, gjatë një interviste televizive për median libaneze “Al Mayadeen”.

“Ne nuk do të lejojmë që as edhe një grimcë e vetme e materialit bërthamor të pasuruar, të largohet nga vendi”, deklaroi Rezaei, duke theksuar se Teherani synon ta mbajë këtë material dhe ta përdorë për nevojat e veta.

Ai paralajmëroi gjithashtu Uashingtonin, se çdo sulm i ri ndaj Iranit do të ketë pasoja.

“Çdo sulm i ri amerikan do të pasohet nga një goditje ndaj bazave amerikane në distancë të largët”, u shpreh ai.

Rezaei tha se aktualisht nuk po zhvillohen negociata mes Teheranit dhe Uashingtonit.

Sipas tij, udhëheqësi suprem i Iranit, ka dhënë udhëzimin që uraniumi i pasuruar, i cili mund të përdoret për prodhimin e armëve bërthamore, të mos dërgohet jashtë vendit.

Zyrtari iranian bëri të ditur se vendi ka informuar edhe Rusinë për vendimin e tij, për të mbajtur rezervat e uraniumit brenda territorit iranian.

“Ne kemi nevojë për materialin e pasuruar, për të projektuar anije dhe nëndetëse që funksionojnë me energji bërthamore”, deklaroi ai.

Rusia ka ofruar më parë mundësinë e marrjes dhe ruajtjes së uraniumit të pasuruar të Iranit, si pjesë e një marrëveshjeje të mundshme që do të ndihmonte në zbutjen e shqetësimeve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Megjithatë, Moska ka theksuar se vendimi përfundimtar i takon Teheranit.

Sipas vlerësimeve të Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA), para sulmeve amerikane dhe izraelite ndaj objekteve bërthamore iraniane në qershor 2025, Irani dispononte 440,9 kilogramë uranium të pasuruar në nivelin 60%.

Ky nivel pasurimi është dukshëm më i lartë se ai që nevojitet për përdorim civil të energjisë bërthamore.

Megjithatë, ende nuk dihet se sa nga kjo sasi ka mbijetuar, pas sulmeve dhe ku ndodhet aktualisht.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Izraeli dhe vende të tjera perëndimore, kanë akuzuar prej kohësh Iranin se synon të ndërtojë armë bërthamore, ndërsa Teherani i ka mohuar vazhdimisht këto pretendime.

Uashingtoni ka këmbëngulur se çështja bërthamore duhet të jetë pjesë e çdo negociate fillestare, për t’i dhënë fund konfliktit mes dy vendeve.

Ndërkohë, sipas një zyrtari të lartë iranian, Teherani i ka përcjellë Uashingtonit, përmes Katarit, një propozim për çështjen bërthamore, por ka kërkuar që diskutimet të zhvillohen, vetëm pasi pala amerikane të plotësojë shtatë kërkesat e paraqitura nga Irani. /

Lini një koment