E mërkurë, 11 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Lajme nga Shqiperia›BE rikonfirmon mbështetjen për KQZ-në, zgjedhjet e ardhshme shihen si kyçe për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë

BE rikonfirmon mbështetjen për KQZ-në, zgjedhjet e ardhshme shihen si kyçe për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Ilirjan Celibashi, nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale bëri të ditur se priti sot në një takim zyrtar Ambasadoren e Bashkimit Evropian në Shqipëri, Sofia Moreira de Sousa, ku u diskutua mbi ecurinë e përgatitjeve zgjedhore dhe rëndësinë e zbatimit të reformave kyçe në kuadër të integrimit evropian të vendit.

Gjatë takimit, përfaqësuesja e lartë e BE-së vlerësoi progresin e bërë nga Shqipëria, duke theksuar se vendi po ecën në rrugën e duhur, megjithëse fazat përfundimtare kërkojnë përkushtim më të madh.

“Shqipëria ecën në drejtimin e duhur drejt anëtarësimit, por etapa e fundit është më e vështira,” u shpreh Sofia Moreira de Sousa, duke riafirmuar njëkohësisht “gatishmërinë e BE-së për ta mbështetur KQZ-në” në përmbushjen e misionit të saj ligjor e institucional.

Nga ana e KQZ-së u nënvizua se procesi i ardhshëm zgjedhor mban një peshë të veçantë historike për vendin, duke marrë parasysh afërsinë me integrimin e plotë në familjen evropiane.

“Zgjedhjet e ardhshme duhet të jenë më të mirat ndonjëherë, sepse jemi më afër se kurrë anëtarësimit të plotë në BE,” u deklarua gjatë takimit.

Në fokus të diskutimeve ishin gjithashtu shtyllat kryesore mbi të cilat duhet të mbështetet reforma e ardhshme zgjedhore. Palët ranë dakord për nevojën e një ndërhyrjeje të qartë ligjore e praktike në disa drejtime kritike:

“Ramë dakord që reforma zgjedhore të adresojë keqpërdorimin e burimeve shtetërore, rolin e administratës publike në fushatë, financimin e fushatave, profesionalizimin e administratës zgjedhore dhe qytetarët që nuk kanë mundësi të votojnë.”

Takimi u përmbyll me konfirmimin e vullnetit të përbashkët për të vijuar bashkëpunimin e ngushtë me institucionet e BE-së, me qëllim garantimin e zgjedhjeve të besueshme, transparente dhe gjithëpërfshirëse.

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Lini një koment