E mërkurë, 11 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Bota›“The Guardian”: Prodhuesit evropianë rrezikojnë të mos përballojnë konkurrencën e Kinës deri në vitin 2030

“The Guardian”: Prodhuesit evropianë rrezikojnë të mos përballojnë konkurrencën e Kinës deri në vitin 2030

– Prodhuesit europianë mund të heqin dorë nga përpjekjet për të konkurruar me kompanitë kineze deri në fund të dekadës, nëse vijojnë tendencat aktuale në tregjet ndërkombëtare, sipas “The Guardian”.

Paralajmërimi vjen nga Jens Eskelund, president i Dhomës së Tregtisë së Bashkimit Evropian në Kinë, i cili ngre shqetësimin për të ardhmen e industrisë europiane dhe rrezikun e humbjes së vendeve të punës.

Sipas Eskelund, kompanitë evropiane po përballen me vështirësi gjithnjë e më të mëdha, për të konkurruar me prodhuesit kinezë, veçanërisht në sektorët e automobilave, industrisë kimike dhe teknologjive të energjisë së rinovueshme.

Ai vlerëson se Evropa mund të detyrohet të ndryshojë strategjinë e saj ekonomike, duke u krijuar mundësi kompanive vendase, të bëhen pjesë e zinxhirëve të furnizimit të kompanive kineze, në vend që t’i konsiderojnë ato vetëm si konkurrente.

Eskelund e përshkruan këtë ndryshim si kalimin nga modeli “Prodhuar në Kinë për Kinën” drejt një filozofie të re: “Në Kinë, për gjithë botën”, ku kompanitë evropiane, mund të prodhojnë në bashkëpunim me partnerët kinezë dhe të përfitojnë nga rrjetet e tyre globale të shpërndarjes.

Duke iu referuar një raporti të “Goldman Sachs”, një nga bankat dhe institucionet më të mëdha financiare në botë, me seli në Nju Jork, SHBA, ai tha se eksportet kineze mund të ulin Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB) të Bashkimit Evropian me 0,5% deri në fund të dekadës, ndërsa ndikimi në ekonominë gjermane mund të arrijë deri në 0,9%.

Konkurrenca kineze po ndihet veçanërisht në industrinë gjermane të automobilave.

Prodhues si BYD, Geely dhe “SAIC Motor” po forcojnë praninë e tyre në tregun evropian, ndërsa kompanitë tradicionale po përballen me rënie të shitjeve dhe fitimeve në Kinë.

Një nga shembujt e fundit është BMW, e cila raportoi një rënie prej 22% të shitjeve në tregun kinez, gjatë nëntë muajve të parë të vitit 2026.

Kompania paralajmëroi gjithashtu planet për të shkurtuar 8,000 vende pune.

Eskelund thekson se kjo situatë nuk duhet të konsiderohet e papritur, pasi strategjia e Kinës për të ulur varësinë nga importet dhe për të forcuar prodhimin vendas, është ndjekur prej vitesh.

Plani i fundit pesëvjeçar i Pekinit për periudhën 2026-2030, parashikon investime dhe zhvillim në fusha si inteligjenca artificiale, robotika, teknologjitë e gjelbra, bioindustria, kompjuterët kuantikë dhe komunikimet 6G.

Sipas tij, rreziku për Evropën nuk lidhet vetëm me humbjen e konkurrueshmërisë industriale, por edhe me pasojat sociale që mund të sjellë dobësimi i prodhimit vendas.

Këto përfshijnë papunësinë masive, tkurrjen e të ardhurave nga taksat, rritjen e shpenzimeve sociale dhe dobësimin e komuniteteve që varen nga industria.

Në këtë kontekst, kreu i Dhomës së Tregtisë së BE-së në Kinë u bën thirrje institucioneve evropiane, të angazhohen në dialog me Pekinin, për të krijuar kushte ku bashkëpunimi tregtar të sjellë përfitime për të dyja palët.

Ai argumenton se për disa kompani evropiane, përfshirja në zinxhirët kinezë të furnizimit, mund të jetë një mënyrë për të ruajtur konkurrueshmërinë në tregjet globale, në një kohë kur rivaliteti i drejtpërdrejtë me prodhuesit kinezë po bëhet gjithnjë e më i vështirë. /

Lini një koment