“CBS News”: Netanyahu: Izraeli nuk dëshiron të varet më nga ndihma ushtarake e SHBA-së
– Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu deklaroi se dëshiron t’i japë fund varësisë së Izraelit nga ndihma financiare ushtarake e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke propozuar që kjo mbështetje të reduktohet gradualisht, deri në zero gjatë 10 viteve të ardhshme.
Në një intervistë për emisionin “60 Minutes” të rrjetit amerikan CBS, Netanyahu tha se Izraeli duhet të nisë menjëherë procesin e shkëputjes nga ndihma financiare amerikane, duke theksuar se vendi ka zhvilluar kapacitete të mjaftueshme ekonomike dhe teknologjike, për të mbështetur më shumë veten.
“Kërkoj që mbështetja financiare amerikane, të reduktohet deri në zero, përsa i përket komponentit financiar të bashkëpunimit tonë ushtarak”, deklaroi Netanyahu.
Ai bëri të ditur se e kishte diskutuar këtë ide edhe me presidentin amerikan, Donald Trump, si dhe me përfaqësues të autoriteteve izraelite.
Sipas Netanyahut, Izraeli përfiton aktualisht rreth 3,8 miliardë dollarë ndihmë ushtarake amerikane në vit.
Marrëveshja ekzistuese mes dy vendeve parashikon një mbështetje totale prej 38 miliardë dollarësh për periudhën 2018–2028.
“Është koha që të shkëputemi gradualisht nga mbështetja e mbetur ushtarake. Le ta nisim tani dhe ta realizojmë këtë gjatë dekadës së ardhshme, brenda 10 viteve”, tha ai.
Kryeministri izraelit argumentoi se ekonomia e vendit ka treguar qëndrueshmëri, pavarësisht tre viteve të konfliktit, duke përmendur zhvillimin e sektorit të teknologjisë së lartë, forcimin e monedhës kombëtare dhe ecurinë e tregut financiar.
Ai theksoi se Izraeli dëshiron të kalojë nga një marrëdhënie e bazuar te ndihma financiare, në një partneritet më të gjerë me SHBA-në, duke propozuar projekte të përbashkëta në fushën e inteligjencës, armatimeve dhe mbrojtjes nga raketat.
Deklarata vjen në një kohë kur mbështetja politike për Izraelin në SHBA, është vënë gjithnjë e më shumë në pikëpyetje, veçanërisht pas nisjes së luftës në Gaza në tetor 2023.
Gjatë intervistës, Netanyahu komentoi edhe rënien e mbështetjes së opinionit publik amerikan për Izraelin, duke ia atribuar kryesisht ndikimit të rrjeteve sociale dhe përhapjes së informacioneve që, sipas tij, paraqesin një imazh të shtrembëruar të veprimeve izraelite.
Ai foli gjithashtu për konfliktin me Iranin, duke deklaruar se lufta nuk kishte përfunduar ende, pasi mbeten çështje të pazgjidhura që lidhen me materialet bërthamore të pasuruara, objektet e pasurimit dhe kapacitetet raketore iraniane.
Netanyahu u shpreh se Izraeli duhet të vazhdojë të veprojë për të parandaluar që Irani të ndërtojë armë bërthamore ushtarake, ndërsa nuk dha një afat kohor për përfundimin e objektivave të luftës.
Ai komentoi edhe marrëdhëniet me vendet arabe të Gjirit Persik, duke theksuar mundësitë për zgjerimin e bashkëpunimit në sektorët e energjisë, inteligjencës artificiale dhe teknologjive të avancuara. /