Kryepolici Hita pritet në Romë nga homologu Pisani, temë diskutimi lufta ndaj trafiqeve, krimit të organizuar dhe kibernetik
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita ka zhvilluar një takim zyrtar në Romë me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë Italiane, Prefektin Vittorio Pisani, me fokus forcimin e bashkëpunimit hetimor, operacional dhe goditjen e grupeve kriminale ndërkufitare.
Gjatë takimit dypalësh, dy titullarët vlerësuan lart marrëdhëniet mes dy strukturave policore, duke veçuar punën e skuadrave të përbashkëta hetimore kundër krimit të organizuar dhe krimeve kibernetike si një model suksesi në nivel evropian.
Kreu i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Policisë Italiane ndër vite dhe nënvizoi se thellimi i bashkëpunimit me partnerët strategjikë mbetet një ndër prioritetet kryesore të mandatit të tij, me synim rritjen e efikasitetit ndaj formave të reja të kriminalitetit.
“Ju falënderoj për pritjen dhe Policinë Italiane për gjithçka ka bërë ndër vite për të mbështetur Policinë e Shtetit. Shpreh gatishmërinë time që këto marrëdhënie besimi dhe bashkëpunimi, mjaft të shkëlqyera, jo vetëm t’i ruajmë, por edhe t’i thellojmë akoma më tej”, u shpreh Hita.
Nga ana e tij, Prefekti Vittorio Pisani rikonfirmoi mbështetjen e plotë të policisë italiane për policinë shqiptare.
Ai theksoi rëndësinë e intensifikimit të luftës kundër trafiqeve të paligjshme, krimeve kibernetike, si dhe vijimin e mbështetjes me monitorim ajror për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike.

Njoftimi i plotë:
“Romë, Itali/Forcimi i bashkëpunimit hetimor dhe operacional, skuadrat e përbashkëta hetimore dhe goditja e grupeve kriminale, në fokus të takimit të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hita, me homologun italian, Vittorio Pisani.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skënder Hita, dhe delegacioni që e shoqëronte u pritën në takim nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Italiane, Prefekti Vittorio Pisani.
Gjatë takimit, i cili u karakterizua nga fryma miqësore, dy titullarët vlerësuan reciprokisht marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe dhe riafirmuan vullnetin e përbashkët për ta çuar në një nivel edhe më të lartë partneritetin strategjik dhe bashkëpunimin hetimor e operacional mes dy policive.
Në mënyrë të veçantë, u vlerësua suksesi i skuadrave të përbashkëta hetimore kundër krimit të organizuar dhe krimeve kibernetike, të cilat përbëjnë një model bashkëpunimi me rëndësi në nivel europian.
Hita: “Ju falënderoj për pritjen dhe Policinë Italiane për gjithçka ka bërë ndër vite për të mbështetur Policinë e Shtetit. Shpreh gatishmërinë time që këto marrëdhënie besimi dhe bashkëpunimi, mjaft të shkëlqyera, jo vetëm t’i ruajmë, por edhe t’i thellojmë akoma më tej.
Një ndër prioritetet e mia kryesore në krye të Policisë së Shtetit është thellimi i bashkëpunimit me partnerët, veçanërisht me partnerët strategjikë, siç është edhe Italia. Jam i vendosur të punojmë së bashku, duke rritur efikasitetin e partneritetit tonë për t’iu përgjigjur formave të reja të kriminalitetit dhe për të qenë gjithmonë një hap përpara organizatave kriminale!”
Pisani: “Vlerësoj prioritetet dhe gatishmërinë tuaj për të vijuar të punojmë së bashku dhe ju garantoj mbështetjen time dhe të Policisë Italiane për Policinë Shqiptare, pasi marrëdhënia mes dy policive tona është model suksesi që duhet marrë si shembull.
Të intensifikojmë luftën e përbashkët kundër grupeve kriminale, trafiqeve të paligjshme, krimeve kibernetike dhe, padiskutim, mbështetjen e përvitshme për monitorimin ajror për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike.”
Gjatë takimit, drejtuesit e të dyja policive rikonfirmuan angazhimin e plotë për të intensifikuar shkëmbimin e informacionit, për të koordinuar hetime dhe për të zhvilluar operacione të tjera të përbashkëta. Ata nënvizuan domosdoshmërinë e rritjes së kapaciteteve profesionale dhe të inteligjencës policore, për t’iu përgjigjur me sukses sfidave bashkëkohore, veçanërisht në luftën kundër radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, si dhe në mbrojtjen e hapësirës digjitale nga kërcënimet kriminale.
Bashkëpunimi i ngushtë mes dy policive mbetet një instrument kyç për goditjen e organizatave kriminale përtej kufijve, identifikimin dhe lokalizimin e personave në kërkim, shkëmbimin e informacionit kriminal dhe zhvillimin e hetimeve e operacioneve të përbashkëta, duke garantuar një përgjigje të koordinuar dhe efektive ndaj kërcënimeve kriminale”.