Zelensky takohet të enjten në Dublin me të dërguarit amerikanë: Evropa duhet të jetë pjesë e çdo faze të negociatave
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, ka njoftuar se do të takohet të enjten në Dublin me të dërguarit specialë të Shteteve të Bashkuara, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, pas bisedimeve të tyre të planifikuara në Rusi me presidentin Vladimir Putin.
Në një postim në platformën X, Zelenskyy bëri të ditur se negociatat e zhvilluara në Abu Dhabi, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve ukrainas, amerikanë dhe rusë, janë përqendruar në përgatitjet për një shkëmbim të ri të të burgosurve, garancitë e sigurisë për Ukrainën dhe formatet e ardhshme diplomatike, ku duhet të përfshihen edhe partnerët evropianë.
“Përfaqësuesit amerikanë do të shkojnë në Rusi dhe, pas këtyre bisedimeve, ne do të koordinojmë përsëri qëndrimet tona dhe do të përcaktojmë se cilët janë hapat e mëtejshëm të mundshëm. Do të takohemi me ta nesër në Dublin”, deklaroi presidenti ukrainas.
Zelenskyy theksoi se objektivi kryesor i Ukrainës mbetet përfundimi i luftës sa më shpejt të jetë e mundur, përmes një marrëveshjeje që garanton një paqe dinjitoze dhe siguri afatgjatë për vendin.
Ai nënvizoi gjithashtu rëndësinë e përfshirjes së Evropës në çdo fazë të procesit diplomatik, duke argumentuar se siguria e kontinentit lidhet drejtpërdrejt me rezultatet e negociatave.
Në të njëjtën kohë, kreu i shtetit ukrainas i bëri thirrje Uashingtonit të mbajë një qëndrim të vendosur dhe të shtojë presionin ndaj Moskës për t’i dhënë fund konfliktit.
“Është thelbësore që Shtetet e Bashkuara të kenë një pozicion të fortë dhe të ushtrojnë ndikim mbi burimin e kësaj lufte – që është Rusia – në mënyrë që Rusia t’i japë fund luftës që e ka shkaktuar vetë”, u shpreh Zelenskyy.