PARIS – Franca kërkon urdhërarreste ndërkombëtare për tre iranianë të dyshuar për sulmin kibernetik ndaj supermarketeve
– Franca ka kërkuar lëshimin e urdhërarresteve ndërkombëtare për tre shtetas iranianë, të dyshuar për organizimin e një sulmi të madh kibernetik, ndaj sistemeve frigoriferike të rreth 700 supermarketeve në të gjithë vendin, sipas RFI.
Sulmi ndodhi gjatë natës së 11 tetorit, kur hakerat dyshohet se ndërhynë në distancë në sistemet e frigoriferëve, duke ndryshuar parametrat e shkrirjes së tyre.
Si pasojë, temperaturat u rritën, ushqimet u prishën dhe u regjistruan të paktën 15 raste zjarresh.
Prokurorja e Parisit, Laure Beccuau, bëri të ditur se ka nisur një hetim zyrtar ndaj grupit të hakerave “Shahid Kaveh”, për të cilin Ministria e Jashtme franceze thotë se ka lidhje me Gardën Revolucionare Islamike të Iranit.
Hetimi përqendrohet te drejtuesi i dyshuar i grupit dhe dy bashkëpunëtorët e tij.
Prokuroria ka kërkuar urdhërarreste ndërkombëtare për Hamid Reza Lashgarian, Mahdi Lashgarian dhe Reza Salarvand.
Sipas autoriteteve franceze, Hamid Reza Lashgarian dyshohet se drejton Qendrën Elektronike dhe Kibernetike të Gardës Revolucionare Islamike, ndërsa Mahdi Lashgarian dhe Reza Salarvand dyshohet se kanë drejtuar njësinë Shahid Kaveh.
Hetuesit francezë thonë se grupi ka përdorur organizata të tjera për të fshehur përfshirjen e tij, mes tyre “CyberAveng3rs” dhe “Cyber Isnaad Front”.
Provat e mbledhura nga hetimi përfshijnë gjurmë të gjuhës perse në sistemet e përdorura për sulmin, si dhe adresa interneti të lidhura me pajisje që ndodheshin në Iran.
Prokuroria e Parisit po e heton çështjen si krim kibernetik të organizuar, të kryer në interes të një fuqie të huaj, në këtë rast Iranit.
Përplasja diplomatike mes Francës dhe Iranit
Ministri i Jashtëm francez, Jean-Noël Barrot, e cilësoi operacionin si të paprecedentë, si për nga përmasat, ashtu edhe për nga niveli i agresivitetit.
Në përgjigje të sulmit, Franca thirri ambasadorin iranian për t’i përcjellë protestën zyrtare dhe po kërkon vendosjen e sanksioneve evropiane ndaj personave përgjegjës.
Nga ana tjetër, Ministria e Jashtme e Iranit, në një deklaratë të 10 nëntorit, i hodhi poshtë kategorikisht akuzat franceze, duke i cilësuar ato të pabaza dhe dashakeqe.
Teherani akuzoi Parisin se po përpiqet të largojë vëmendjen nga politikat e veta në Lindjen e Mesme dhe se po përdor akuzat ndaj Iranit për të justifikuar dështimet e tij.
Edhe ministri i Jashtëm iranian, Seyed Abbas Araghchi, reagoi në rrjetet sociale, duke ironizuar qeverinë franceze.
Ai deklaroi se, në vend që të përballet me problemet e qytetarëve dhe të menaxhojë sistemet frigoriferike, qeveria franceze po ia kalon përgjegjësinë të tjerëve.
Hetimet në Francë vijojnë, ndërsa çështja ka rritur tensionet diplomatike mes Parisit dhe Teheranit. /