E mërkurë, 11 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Lajme nga Shqiperia›Nufi sqaron deklaratën për Politico: Samiti i NATO-s do të mbahet në Tiranë, Shqipëria nuk ka kërkuar shtyrje apo zhvillim virtual

Nufi sqaron deklaratën për Politico: Samiti i NATO-s do të mbahet në Tiranë, Shqipëria nuk ka kërkuar shtyrje apo zhvillim virtual

Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, ka reaguar pas publikimit të një artikulli në median ndërkombëtare Politico, duke sqaruar se deklarata e tij është interpretuar jashtë kontekstit dhe nuk pasqyron qëndrimin zyrtar të Shqipërisë lidhur me Samitin e ardhshëm të NATO-s.

Përmes një deklarate publike, Nufi thekson se Samiti i NATO-s do të zhvillohet në Tiranë, në përputhje me vendimin e marrë nga Aleanca, ndërsa Shqipëria ka nisur tashmë përgatitjet për organizimin dhe mikpritjen e tij.

“Lidhur me artikullin e publikuar sot nga Politico, dëshiroj të sqaroj se deklarata ime është interpretuar jashtë kontekstit, duke krijuar një përshtypje të gabuar mbi qëndrimin e Shqipërisë për organizimin e Samitit të ardhshëm të NATO-s në Tiranë”, shprehet ministri.

Sipas Nufit, referenca e tij për një takim virtual kishte të bënte ekskluzivisht me procesin e vendimmarrjes për caktimin e datës së samitit dhe jo me zhvillimin e vetë ngjarjes.

“Në përgjigje të pyetjeve të gazetarit lidhur me datën e zhvillimit të Samitit, kam sqaruar se përcaktimi i saj është kompetencë e liderëve të vendeve aleate, të cilët mund ta diskutojnë dhe vendosin atë edhe përmes një takimi virtual, pa qenë e nevojshme të mblidhen fizikisht për këtë qëllim”, sqaron ai.

Ministri nënvizon se çdo interpretim që lidhet me zhvillimin virtual të samitit është i pasaktë.

“Referenca ime ndaj një takimi virtual lidhej ekskluzivisht me procesin e vendimmarrjes për datën dhe në asnjë mënyrë me zhvillimin virtual të vetë Samitit”, thekson Nufi.

Ai shton se data e samitit do të bëhet publike vetëm pasi të jetë përcaktuar nga Aleanca dhe të komunikohet zyrtarisht nga NATO.

Në deklaratën e tij, ministri ka mohuar gjithashtu çdo pretendim se Shqipëria ka propozuar shtyrjen e samitit ose organizimin e tij në format virtual.

“Dua të jem plotësisht i qartë: Shqipëria nuk ka propozuar as shtyrjen, as zhvillimin virtual të Samitit të NATO-s. Ne jemi duke u përgatitur për ta mirëpritur atë në Tiranë, ashtu siç është vendosur nga aleatët”, deklaron ai.

Në përfundim, Nufi thekson se çdo interpretim tjetër nuk përfaqëson as fjalët e tij dhe as pozicionin zyrtar të Republikës së Shqipërisë.

“Çdo interpretim tjetër i deklaratës sime nuk pasqyron atë që kam thënë dhe as qëndrimin zyrtar të Republikës së Shqipërisë”, përfundon reagimi i ministrit.

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Lini një koment