E enjte, 12 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Lajme nga Shqiperia›Hesapet e drogës/ Vrasja e shqiptarit në mes të Brukselit dhe policit në aksion, 4 autorët ekstradohen në Belgjikë nga Sp

Hesapet e drogës/ Vrasja e shqiptarit në mes të Brukselit dhe policit në aksion, 4 autorët ekstradohen në Belgjikë nga Sp

Katër persona të dyshuar për vrasjen e një shqiptari pranë Parlamentit Evropian në Bruksel dhe të efektivit të policisë belge Nordine El Talbi, i janë dorëzuar autoriteteve belge, pas arrestimit në Spanjë dhe Francë.

Lajmi raportohet nga mediat belge, ndërsa hetuesit dyshojnë se bëhet fjalë për të njëjtin grup personash që ka kryer të dyja vrasjet brenda pak orësh, më 12 tetor 2026.

Sipas raportimeve, ngjarja e parë ndodhi rreth orës 17:50, në rrugën Wiertz, në lagjen Elsene të Brukselit, pranë Parlamentit Evropian. Shqiptari u qëllua disa herë me armë zjarri në hollin e një pallati. Ai mori shtatë ose tetë plumba në gjoks dhe ndërroi jetë në vendngjarje, pavarësisht ndërhyrjes së ekipeve të emergjencës.

Dyshimet paraprake janë se vrasja lidhet me larje hesapesh në rrjetet e trafikut të drogës dhe mund të ketë qenë një ekzekutim me pagesë. Identiteti i viktimës shqiptare nuk është bërë publik. Vetëm disa orë më vonë, të dyshuarit dyshohet se kanë vrarë edhe policin belg Nordine El Talbi, 41 vjeç, në lagjen Jette.

Efektivi ishte pjesë e një operacioni për gjetjen e një automjeti Volkswagen T-Cross, të vjedhur gjatë një grabitjeje me dhunë në Tubize. Kur policët lokalizuan automjetin, El Talbi iu afrua për të kontrolluar situatën, por personat brenda hapën zjarr ndaj tij. Një plumb e goditi në kokë, duke i marrë jetën.

Tre prej të dyshuarve u arrestuan në Almería të Spanjës, ndërsa i katërti u kap në një stacion hekurudhor në Paris. Sipas raportimeve, tre personat e arrestuar në Spanjë dyshohet se po tentonin të largoheshin drejt Marokut. Njëri prej katër të dyshuarve është i mitur. Të gjithë dyshohet se janë larguar nga Belgjika pas ngjarjeve.

Ndërkohë, në Bruksel janë arrestuar edhe dy persona të tjerë të dyshuar për përfshirje në ngjarje. Njëri prej tyre është liruar nga Dhoma e Këshillit për mungesë provash, ndërsa tjetri vijon të qëndrojë në paraburgim. Sipas autoriteteve belge, të dyshuarit janë nga Brukseli dhe njihen për lidhjet e tyre me rrjetet e trafikut të drogës.

Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht motivet e dy vrasjeve dhe rolin konkret të secilit prej të dyshuarve.

Lini një koment