Haradinaj kërkon kritere më të ashpra për vizitat e politikanëve serbë në Kosovë
Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka kërkuar që vizitat e politikanëve nga Serbia në Kosovë të trajtohen përmes një protokolli të qartë dhe me kritere më të rrepta për dhënien e lejeve.
Në deklarimet jashtë rendit të ditës në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, Haradinaj iu referua vizitës së disa zyrtarëve të Listës së Studentëve të Serbisë në Kosovë, duke kërkuar monitorimin e vizitave të zyrtarëve politikë që vijnë nga Serbia.
Ai tha se lejet për këto vizita duhet të jepen mbi bazën e kritereve të qarta, ndërsa institucionet e Kosovës duhet të monitorojnë nëse gjatë qëndrimit të tyre ka shkelje të ligjit apo veprime që cenojnë rendin kushtetues, raporton kp.
“Vizita e politikanëve nga Serbia në Kosovë duhet të trajtohet me protokoll të vizitave. Dhënia e lejeve duhet të bëhet me kritere të qarta. Vizitat duhet të monitorohen në rast se gjatë këtyre vizitave ndodh shkelje apo cenim i rendit kushtetues, apo dërgohen porosi përçarëse të urrejtjes dhe kundër rendit kushtetues. Duhet të zbatohet ligji i Kosovës. Dola në këtë foltore pasi herën tjetër do të kërkoj përgjegjësi nga kushdo që ka bërë lëshime dhe nga kushdo që nuk e ka kryer punën e vet në rastin e këtyre vizitave. Për vizitat e politikanëve nga Serbia, kriteri i dhënies së lejeve edhe mund të ashpërsohet”, tha ai.