E enjte, 12 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Lajme nga Shqiperia›Shisnin lëndë narkotike në afërsi të shkollave, arrestohen dy persona në Laç!

Shisnin lëndë narkotike në afërsi të shkollave, arrestohen dy persona në Laç!

Dy persona janë arrestuar në Laç, pasi shisnin lëndë narkotike në doza, kryesisht në afërsi të shkollave.

Operacioni policor i koduar “Quick Strike 2” u finalizua nga specialistët e Hetimit të Narkotikëve, në bashkëpunim me strukturat e tjera të Policisë në Lezhë dhe Kurbin.

Në pranga ranë V. R., 23 vjeç, dhe A. Gj., 36 vjeç, të dy banues në Laç. Ata u kapën në flagrancë pranë një shkolle në qytet.

Gjatë kontrolleve fizike dhe në banesat e tyre, Policia gjeti dhe sekuestroi 126 doza të dyshuara narkotike, nga të cilat 113 me kanabis dhe 13 me kokainë. Gjithashtu, u sekuestruan municion luftarak dhe dy telefona celularë.

Nga hetimet paraprake dyshohet se dy të arrestuarit ushtronin aktivitetin e shitjes së lëndëve narkotike në qytetin e Laçit, kryesisht pranë perimetrit të sigurisë së shkollave.

Operacioni u zhvillua në kuadër të planit “Shkolla të Pastra”, që synon parandalimin dhe goditjen e shitjes së drogës në afërsi të institucioneve arsimore.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë për veprime të mëtejshme.

Lini një koment