Projekti për Sazanin, Rama nga Dublini: Nuk kemi shitur asnjë ishull. Negociatat vijojnë prej 3 vitesh, shteti synon të jetë aksioner në investim
Kryeministri Edi Rama ka folur lidhur me investimin e Jared Kushnerit në Shqipëri dhe projektin e zhvillimit të ishullit të Sazanit, i cili është shoqëruar me protesta që në fillim të qershorit.
Gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët para samitit në Dublim, Rama mohoi që të ketë një marrëveshje për shitjen apo dhënien e ishullit investitorit amerikan, duke theksuar se negociatat vijojnë prej tre vitesh. Rama deklaroi gjithashtu se synimi është që shteti shqiptar të jetë aksioner në këtë investim.
“Investitorët kanë treguar interes për vendin tonë, por ju, po t’ju pyesin për Shqipërinë, thoni: E keni dëgjuar se ka një ishull që i është dhënë atij. Nuk ka marrëveshje ende. Jemi në negociata prej tre vitesh tashmë. Nuk ka ishull të shitur. Ishulli është pronë e Shqipërisë dhe do të mbetet i tillë. Ne po kërkojmë që shteti të jetë aksioner në këtë investim. Kjo është e vërteta, por nuk ka shumë hapësirë sot për të vërtetën në mediat globale apo lokale”, tha Rama.
Rama u ndal edhe te protestat për dorëheqje, ku tha se qytetarët shqiptarë i kanë dhënë një mandat të fortë për ta drejtuar vendin drejt Bashkimit Europian.
“Kjo nuk është diçka që e vendosni ju për shqiptarët dhe ata më kanë dhënë një mandat të fortë për të drejtuar vendin drejt BE-së. Kjo ka ndodhur vetëm vitin e kaluar dhe jo 10 vite më parë. Jeni shumë të mbytur në gjysmë të vërteta që janë përhapur për Shqipërinë”, tha Rama.
Kryeministri foli gjithashtu për nevojën për një Europë më të bashkuar e më të fortë.
“Ne jemi shumë të vegjël dhe e dimë vendin tonë. Nuk na takon t’u japim leksione të tjerëve apo të përfaqësojmë gjithkënd. Nuk ka të bëjë me votuesit, por me sa të aftë janë drejtuesit në Europë të angazhohen për një Europë më të fortë dhe të bashkuar. Irlanda po dëshmon gjithë vullnetin për të pasur një Europë më të fortë dhe të bashkuar”, tha ai.
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.