Izraelit i shtohen problemet para Kosovës, mungon mbrojtësi titullar, në dyshim edhe një tjetër
Kombëtarja e Izraelit po përballet me mungesa të rëndësishme pak ditë para ndeshjes ndaj Kosovës, siç njofton Telegrafi. Sfida e Ligës së Kombeve, e vlefshme për Grupin B3, luhet të shtunën në Prishtinë dhe nis në orën 15:00.
Sipas mediave izraelite, mbrojtësi i majtë Roy Revivo ka ankesa për një dëmtim muskulor dhe ka shumë gjasa të mos jetë i gatshëm për këtë takim. Mungesa e tij do të ishte një goditje e rëndë për trajnerin, pasi Revivo është titullar i padiskutueshëm në krahun e majtë të mbrojtjes.
Por problemet nuk mbarojnë këtu. Edhe sulmuesi Manor Solomon po kalon momente të vështira fizike: ai ka dhimbje në shpinë dhe nuk është në gjendje të luajë një ndeshje të plotë. Sipas mediumit izraelit Sport5, ekziston mundësia reale që Solomon të mos e nisë nga minuta e parë përballjen me Kosovën.
Ndeshja në Prishtinë është e parafundit e kësaj faze të Grupit B3 dhe ka peshë të madhe për të dyja skuadrat. Izraeli mban vendin e fundit në grup me vetëm dy pikë, ndërsa Kosova renditet e dyta me pesë pikë dhe synon të shfrytëzojë avantazhin e fushës së vet për të bërë një hap tjetër drejt objektivit.
Për Kosovën, kjo është një mundësi e artë për të përfituar nga mungesat e kundërshtarit dhe për të marrë pikë të vlefshme para tifozëve të vet, në një sfidë që pritet me interes të madh.