Shitjet e shtëpive ekzistuese në SHBA bien në nivelin më të ulët në më shumë se 16 vjet
Shitjet e shtëpive ekzistuese në Shtetet e Bashkuara ranë në tetor në nivelin më të ulët në më shumë se 16 vjet, pasi normat e larta të hipotekave dhe çmimet ende të larta i mbajtën blerësit potencialë në pritje, siç njofton Reuters.
Shitjet ranë 5,5% muajin e kaluar, në një ritëm vjetor të rregulluar sezonalisht prej 3,75 milionë njësish, njoftoi të enjten Shoqata Kombëtare e Agjentëve të Pasurive të Patundshme (NAR). Ky është niveli më i ulët që nga gushti 2010; ekonomistët e anketuar nga Reuters kishin parashikuar 3,85 milionë, ndërsa në bazë vjetore shitjet ranë 8,8%.
Shitjet numërohen në mbylljen e kontratës dhe ato të tetorit pasqyrojnë kontratat e nënshkruara në gusht e shtator. Norma fikse 30-vjeçare e hipotekës u ngjit mbi 7% në fund të gushtit dhe arriti 7,40% në mes të shtatorit — 142 pikë bazë më lart që nga sulmi i SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit në fund të shkurtit, sipas të dhënave të Freddie Mac; javën e kaluar mesatarja ishte 7,18%.
“Blerja e shtëpisë është e vështirë kur normat e hipotekave janë ngjitur në nivelet më të larta që nga viti 2000, me përjashtim të një muaji të vetëm në 2023”, tha kryeekonomisti i NAR-it, Lawrence Yun.
Shitjet ranë në Jug, Mes-perëndim dhe Perëndim dhe mbetën të pandryshuara në Veri-lindje. Inventari u rrit 1,3% në 1,590 milionë njësi (+4,6% në bazë vjetore); me ritmin e tetorit duhen 5,1 muaj për ta shteruar inventarin, më shumë që nga nëntori 2015.
Çmimi mesatar i shtëpisë ekzistuese u rrit 0,4% në bazë vjetore në 421.900 dollarë, më i larti për një muaj tetor. Blerësit për herë të parë përbënin 29% të shitjeve, nga 31% në shtator dhe 32% një vit më parë.