E enjte, 12 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Lajme nga Shqiperia›Akademia e Sigurisë drejt modelit italian, pas 3 vitesh studime në Tiranë master për hetimin e krimit në Itali

Akademia e Sigurisë drejt modelit italian, pas 3 vitesh studime në Tiranë master për hetimin e krimit në Itali

Nëse një i ri zgjedh të studiojë në Akademinë e Sigurisë, ai do të diplomohet brenda 3 vitesh, ndërsa vitin e katërt, sipas rezultateve, do të jetë në Itali për të marrë një master për hetimin e krimit. Ky është plani i ri për Akademinë e Sigurisë, për të cilin, siç njofton Shqiptarja.com, ministri i Brendshëm Ervin Demo dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Skënder Hita u takuan sot në Romë me homologët italianë.

Takimi u zhvillua në Shkollën e Lartë të Policisë në Romë, ku ministri Demo dhe kreu i policisë u pritën nga Prefekti Vittorio Rizzi, drejtor i Përgjithshëm i Departamentit të Sigurisë Publike, dhe nga drejtori i shkollës Massimo Bontempi. Gjatë vizitës u diskutua zbatimi i Memorandumit të Mirëkuptimit ndërmjet Shqipërisë dhe Italisë, i nënshkruar më 29 korrik 2025, për bashkëpunimin në fushën e sigurisë.

Memorandumi parashikon rritjen e kapaciteteve operacionale, shkëmbimin e ekspertizës dhe standardeve të trajnimit, si dhe modernizimin e sistemit të formimit të Policisë së Shtetit. Takimi u fokusua edhe në bashkëpunimin e mëtejshëm në luftën kundër krimit të organizuar, terrorizmit dhe krimeve kibernetike, si dhe në mundësitë e bashkëpunimit në fushën e migracionit të ligjshëm dhe të rregullt.

Vizita vijoi edhe në Qendrën Ndërinstitucionale të Kërkimit të Lartë në Policinë Shkencore, ku u diskutua përfshirja e Akademisë së Sigurisë në programe të avancuara trajnimi dhe kërkimi në Itali, në mënyrë që kadetët shqiptarë të përfitojnë nga përvoja italiane në hetimin e krimit dhe kriminalistikë. Vizita u mbyll me një takim në Ministrinë e Brendshme të Italisë, ku ministri Demo u prit nga homologu i tij Matteo Piantedosi dhe u diskutua forcimi i marrëdhënieve dypalëshe dhe mbështetja e Italisë për zhvillimin e kapaciteteve të Policisë së Shtetit.

Lini një koment