TEHERAN – Irani ashpërson tonet me SHBA-në: Përgjigjja ndaj çdo sulmi do të jetë 10 herë më e fuqishme
– Irani ka paralajmëruar Shtetet e Bashkuara të Amerikës se çdo sulm i ri amerikan ndaj territorit iranian, do të marrë një përgjigje dhjetë herë më të fuqishme, pas kërcënimit të presidentit amerikan, Donald Trump, se një ndërhyrje e ardhshme ushtarake do të ishte pesë herë më e ashpër se sulmet e mëparshme, sipas “Mehr News”.
Paralajmërimi u bë nga gjeneral brigade Abolfazl Shekarchi, zëdhënës i lartë i Forcave të Armatosura iraniane, i cili deklaroi se Teherani nuk ka frikë nga kërcënimet amerikane dhe se ushtria iraniane është shumë më e përgatitur dhe më mirë e pajisur se më parë.
“Ne nuk kemi frikë nga kërcënimet amerikane”, deklaroi Shekarchi gjatë një vizite në një ekspozitë kushtuar luftërave të Iranit.
Ai theksoi se në rast të një sulmi të ri, të gjitha asetet materiale dhe jomateriale të armikut, që ndodhen brenda rrezes së veprimit të forcave iraniane, do të përfshihen në objektivat e goditjeve më të fuqishme.
Sipas tij, përgjigjja e Iranit do të jetë aq e ashpër sa do të habisë botën.
Gjenerali iranian deklaroi gjithashtu se kapacitetet ushtarake të vendit, janë forcuar ndjeshëm krahasuar me periudhën përpara 13 qershorit 2025, kur, sipas Teheranit, nisi një tjetër fazë e konfliktit me Izraelin dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Shekarchi theksoi rëndësinë e dokumentimit të zhvillimeve gjatë luftërave të fundit, duke përmendur edhe përvojën e luftës tetëvjeçare Iran-Irak dhe mësimet e nxjerra prej saj.
Irani zgjeron kërcënimet ndaj bazave amerikane
Paralelisht me deklaratat e zëdhënësit ushtarak, sekretari i Këshillit të Lartë të Sigurisë Kombëtare të Iranit, Mohsen Rezaei, paralajmëroi se çdo bazë ushtarake amerikane, e përfshirë në një sulm të ri kundër Iranit, do të konsiderohet objektiv legjitim, përfshirë instalimet ushtarake në Evropë.
Në një deklaratë të publikuar sot, Rezaei tha se kërcënimi nuk kufizohet vetëm në bazat amerikane në Lindjen e Mesme, por shtrihet edhe në ato që mund të përdoren për operacione ushtarake nga territori evropian.
Ai paralajmëroi se nuk do të ketë distancë të sigurt për bazat, që marrin pjesë në një sulm kundër Iranit.
Këto deklarata vijnë në një periudhë tensionesh të vazhdueshme mes Teheranit dhe Uashingtonit, pavarësisht sinjaleve për mundësinë e rifillimit të negociatave diplomatike.
Trump zbut retorikën për një sulm të ri
Presidenti amerikan, Donald Trump ka deklaruar së fundmi se një tjetër sulm ndaj Iranit, është pak i mundshëm nëse negociatat përparojnë.
Megjithatë, Uashingtoni dhe Teherani mbeten të ndarë për disa çështje thelbësore, përfshirë programin bërthamor iranian, bllokadën detare amerikane ndaj porteve iraniane dhe pasuritë financiare të ngrira të Iranit.
Rezaei ka deklaruar se aktualisht, nuk po zhvillohen negociata mes dy vendeve dhe se Irani ka paraqitur shtatë kushte për rifillimin e bisedimeve dhe për zgjidhjen e konfliktit.
Ndërkohë, autoritetet iraniane kanë përsëritur se nuk do të lejojnë largimin nga vendi të materialit të tyre bërthamor të pasuruar.
Pavarësisht deklaratave të ashpra nga të dyja palët, zhvillimet diplomatike dhe qëndrimet e Uashingtonit për një zgjidhje përmes negociatave mbeten në fokus, ndërsa kërcënimet ushtarake vazhdojnë të shtojnë pasigurinë në rajon. /