FRANCË – Moment i sikletshëm në pritjen zyrtare të presidentit sllovak, dy pjesëtarë të rojës së nderit humbin ndjenjat, Macron u shkon në ndihmë
PARIS, 12 nëntor /ATSH-AFP/- Një incident i papritur ndodhi në Pallatin Élysée në Paris, gjatë ceremonisë zyrtare të pritjes së presidentit të Sllovakisë, Peter Pellegrini, nga homologu i tij francez, Emmanuel Macron.
Dy pjesëtarë të Gardës Republikane franceze, të cilët ishin rreshtuar në formacion për nder të mbërritjes së presidentit sllovak, humbën ndjenjat pothuajse në të njëjtën kohë, duke ndërprerë për pak çaste ceremoninë zyrtare.
Pamjet filmike tregojnë njërin prej gardistëve duke humbur ekuilibrin, përpara se të rrëzohej në tokë, ndërsa shpata ceremoniale i ra pranë.
Macron, i cili ndodhej në afërsi, reagoi menjëherë dhe iu afrua për të parë gjendjen e tij. Edhe pjesëtarë të tjerë të stafit nxituan për t’i ardhur në ndihmë.
Ndërkohë, ndërsa presidenti francez po përshëndeste homologun e tij sllovak, edhe një gardist i dytë u rrëzua.
Personeli i pallatit ndërhyri për t’i dhënë ndihmën e nevojshme dhe për t’i larguar nga vendi i ceremonisë.
Sipas një burimi nga Presidenca franceze, të cituar nga agjencia AFP, të dy gardistët pësuan episode të fikëti me origjinë vasovagale.
Ata morën menjëherë ndihmën e nevojshme, nuk pësuan dëmtime dhe gjendja e tyre është e mirë.
Garda Republikane është pjesë e xhandarmërisë franceze dhe ka për detyrë, ndër të tjera, ceremonitë zyrtare dhe pritjen e personaliteteve të huaja.
Gardistët shpesh qëndrojnë për periudha të gjata në këmbë, të veshur me uniforma ceremoniale dhe duke mbajtur shpatat në pozicion vertikal.
Ceremonia vijoi më pas sipas protokollit, me Macron dhe Pellegrini që përshëndetën njëri-tjetrin dhe hynë në Pallatin Élysée. /