Vetëm gjatë vitit 2026, 102 mjekë kërkuan certifikata për punësim jashtë Kosovës
Deklarata e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, se gjatë vitit 2025 janë kthyer 171 mjekë për të jetuar dhe punuar në Kosovë, ka nxitur debat dhe reagime lidhur me saktësinë e këtij pretendimi.
Kurti, më 7 nëntor 2026, kishte deklaruar se 171 mjekë janë kthyer në Kosovë gjatë vitit të kaluar.
Megjithatë, të dhënat e Odës së Mjekëve të Kosovës tregojnë se gjatë vitit 2025 janë lëshuar gjithsej 95 certifikata mbi të kaluarën etike dhe profesionale të mjekëve, dokument ky që u nevojitet anëtarëve të Odës që synojnë të punësohen dhe të ushtrojnë profesionin jashtë vendit.
“Gjatë vitit 2024 janë lëshuar 111 certifikata, gjatë vitit 2025 janë lëshuar 95 certifikata, derisa gjatë vitit 2026, deri në datën e përpilimit të kësaj përgjigjeje (11 nëntor 2026), janë lëshuar 102 certifikata”, thuhet në përgjigjen e Odës së Mjekëve të Kosovës për Telegrafin.
Po ashtu, bazuar në vetëdeklarimet e anëtarëve të Odës së Mjekëve ndër vite, rreth 600 mjekë rezultojnë të jenë të punësuar në Gjermani.
Ndërkaq, këshilltari i ministrit të Shëndetësisë, Durim Elshani, ka dhënë një sqarim tjetër lidhur me shifrën prej 171 profesionistësh shëndetësorë.
Sipas tij, bazuar në të dhënat e Komisionit për Licencimin e Profesionistëve të Huaj Shëndetësorë, gjatë vitit 2025 janë licencuar 171 profesionistë shëndetësorë shqiptarë, kryesisht nga Kosova, por edhe nga trevat e tjera shqiptare.
Elshani ka theksuar se nga ky numër, vetëm 12 janë profesionistë shëndetësorë shqiptarë me nënshtetësi të Kosovës, të cilët pas përfundimit të specializimit në vendet evropiane janë kthyer për të punuar në Kosovë.
Ndërsa 159 të tjerët, sipas tij, janë profesionistë shëndetësorë shqiptarë me nënshtetësi të huaj ose me nënshtetësi të dyfishtë, të cilët janë pajisur me licencë për të punuar dhe vepruar në Kosovë.
Për këtë çështje ka reaguar edhe ish-ministri i Shëndetësisë nga radhët e LDK-së, Armend Zemaj, i cili ka vënë në pikëpyetje shifrën e prezantuar nga kryeministri Kurti.
Ai ka sfiduar përfaqësuesit e Qeverisë, Ministrisë së Shëndetësisë dhe Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës që të publikojnë emrat e mjekëve specialistë të kthyer nga mërgata gjatë vitit 2025.
“E sfidoj cilindo përfaqësues të Qeverisë, Ministrisë së Shëndetësisë apo SHSKUK-së që të na ofrojë vetëm 17 emra të mjekëve specialistë, jo 171, të cilët janë kthyer nga mërgata gjatë vitit 2025 dhe tashmë janë të punësuar me kontrata të rregullta në sistemin publik shëndetësor të Kosovës”, ka deklaruar Zemaj./Telegrafi/