E premte, 13 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Bota›SHBA – Trump: Dua ta zgjidh çështjen e Kubës përpara se të largohem nga detyra

SHBA – Trump: Dua ta zgjidh çështjen e Kubës përpara se të largohem nga detyra

UASHINGTON, 13 nëntor /ATSH-DPA/- Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se dëshiron të ndërmarrë hapa për zgjidhjen e çështjes së Kubës përpara përfundimit të mandatit të tij presidencial, në janar të vitit 2029.

“Dua ta zgjidh çështjen e Kubës përpara se të largohem”, tha Trump në një intervistë me drejtuesin e radios Hugh Hewitt. Deklarata erdhi pasi gazetari e pyeti nëse presidenti po shqyrtonte mundësinë e “çlirimit të Kubës” përmes një ndërhyrjeje ushtarake.

Presidenti Trump nuk dha detaje konkrete për mënyrën se si synon të veprojë, por tha se administrata amerikane po e ndjek nga afër situatën në ishull. Ai e përshkroi Kubën si një vend që po përballet me vështirësi të mëdha ekonomike dhe politike.

Ndërkohë, qeveria amerikane ka vendosur së fundmi një sërë sanksionesh të reja ndaj Kubës, duke përkeqësuar më tej krizën ekonomike dhe energjetike që vendi po përjeton prej vitesh.

Këto zhvillime kanë shtuar edhe emergjencën humanitare në shtetin e Karaibeve, ku jetojnë rreth 9,4 milionë banorë. Mungesa e energjisë elektrike, karburanteve dhe vështirësitë ekonomike kanë rënduar ndjeshëm jetën e përditshme të popullsisë.

Uashingtoni kërkon që Kuba të ndryshojë drejtimin ekonomik dhe politik, si dhe të distancohet nga fuqitë si Kina dhe Rusia. Administrata amerikane e justifikon këtë qëndrim me argumentet e sigurisë kombëtare.

Deklarata e presidentit amerikan nuk konfirmon një vendim për ndërhyrje ushtarake, por lë të hapur pikëpyetjen se çfarë hapash mund të ndërmarrë Uashingtoni ndaj Kubës gjatë viteve të mbetura të mandatit të tij. /Ad.Ab./ a.jor.

Lini një koment