E premte, 13 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Lajme nga Shqiperia›Tjetërsimi i tokës me dokumente false, Gjykata e Fierit jep masat për 5 personat e akuzuar! Lë në burg 4 prej tyre, njëri

Tjetërsimi i tokës me dokumente false, Gjykata e Fierit jep masat për 5 personat e akuzuar! Lë në burg 4 prej tyre, njëri

Gjykata e Fierit ka lënë sot (13 nëntor) në burg katër nga pesë personat nën hetim për tjetërsimin e 44 mijë metrave katrorë tokë në zonën e Povelçës.

Ndërsa për personin e pestë ka caktuar masën “detyrim paraqitje” dhe ndalimin e daljes jashtë shtetit.

Prona dyshohet se është tjetërsuar për t’u përdorur për ndërtimin e një impianti fotovoltaik.

Njoftimi i Gjykatës:

“Gjykata e Fierit cakton masat e sigurisë për pesë personat nën hetim për çështjen e pronës në Povelçë

Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka caktuar masat e sigurisë për pesë personat nën hetim në lidhje me çështjen e tjetërsimit të pronave në zonën e Povelçës.

Me vendim të gjyqtarit Noel Veizi, është caktuar masa e sigurisë “arrest në burg” për Dilaver Shytin, Arben Vojën, Fjorelo Bidën dhe noteren Anila Haxhiu.

Ndërsa për Arbina Jaupajn gjykata ka vendosur dy masa sigurie: “detyrim për paraqitje” në policinë gjyqësore, të hënën e parë të çdo muaji, si dhe “ndalim të daljes jashtë shtetit”, duke urdhëruar edhe bllokimin e pasaportës.

Personat nën hetim akuzohen për vepra të ndryshme penale. Dilaver Shyti dyshohet për mashtrim me pasoja të rënda, falsifikim dokumentesh në bashkëpunim dhe pastrim të produkteve të veprës penale. Arben Voja dhe Fjorelo Bida dyshohen për falsifikim dokumentesh dhe shpërdorim detyre, ndërsa noterja Anila Haxhiu për falsifikim dokumentesh në bashkëpunim.

Hetimi lidhet me tjetërsimin e një sipërfaqeje prej rreth 44 mijë metrash katrorë tokë në Povelçë, e destinuar për ndërtimin e një impianti fotovoltaik.

Vendimi është shpallur më 11 nëntor 2026 dhe ndaj tij mund të bëhet ankim në Gjykatën e Apelit brenda afatit ligjor prej pesë ditësh nga komunikimi i vendimit të arsyetuar”.

Lini një koment