VJENË – Irani refuzon rikthimin e inspektimeve bërthamore të IAEA-së
Sipas një raporti të IAEA-së, të publikuar sot, Teherani ka njoftuar se bisedimet nuk janë të mundura për shkak të situatës aktuale të sigurisë.
Që prej fillimit të sulmeve amerikane dhe izraelite ndaj objekteve bërthamore iraniane vitin e kaluar, Republika Islamike ka lejuar shumë pak inspektime nga ekspertët ndërkombëtarë. Inspektorët e OKB-së kanë mundur të kryejnë vetëm një vizitë të fundit në centralin bërthamor të Bushehrit.
Megjithatë, IAEA-ja dhe vendet perëndimore kërkojnë verifikimin e rezervave të uraniumit të pasuruar në nivele shumë të larta, pothuajse të përshtatshme për prodhimin e armëve bërthamore, të cilat Irani i ka grumbulluar gjatë viteve të fundit.
Drejtori i përgjithshëm i agjencisë, Rafael Grossi, ka propozuar një afrim gradual mes organizatës dhe autoriteteve iraniane, me qëllim rikthimin e besimit dhe krijimin e kushteve për një marrëveshje më të gjerë. Ai ka kërkuar zhvillimin e bisedimeve teknike për mënyrën se si mund të realizohen inspektimet në të ardhmen.
Grossi i ka kërkuar gjithashtu Teheranit të paraqesë një raport mbi gjendjen e objekteve bërthamore që nuk janë goditur nga sulmet amerikane dhe izraelite. Një tjetër shqetësim i agjencisë lidhet me mungesën e informacionit për një objekt të ri të planifikuar për pasurimin e uraniumit.
Uraniumi i pasuruar në nivele të larta mund të përdoret për prodhimin e armëve bërthamore, megjithëse Irani vazhdon të mohojë se synon të krijojë një arsenal të tillë. /Ad.Ab./ a.jor.