Shqiptarët e dënuar në Britani do ta vuajnë dënimin në Shqipëri, Bodo takon ambasadorin Abbott: Garantojmë trajtim dinjitoz
Drejtoresha e Përgjithshme e Burgjeve, Sadleva Bodo, priti në një takim pune ambasadorin e Britanisë së Madhe në Tiranë, Nicholas Abbott, siç njofton Shqiptarja.com. Në qendër të bisedës ishte bashkëpunimi në fushën e drejtësisë dhe sistemit penitenciar, me theks zbatimin e marrëveshjes për transferimin e shqiptarëve të dënuar në Britani, që pjesën e mbetur të dënimit ta vuajnë në Shqipëri, më pranë familjeve të tyre.
Sipas njoftimit, në takim u diskutua gjithashtu thellimi i bashkëpunimit në siguri, trajnimin e stafit dhe shkëmbimin e praktikave më të mira në menaxhimin e institucioneve të vuajtjes së dënimit.
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve bëri të ditur se drafti i marrëveshjes mes dy vendeve është gati dhe pritet vetëm miratimi nga pala britanike.
Bodo u shpreh se institucioni që ajo drejton është gati të garantojë trajtim dinjitoz dhe respektimin e të drejtave të të dënuarve të transferuar, në përputhje me standardet dhe legjislacionin në fuqi.
Në negociata është angazhuar edhe zëvendësministrja e Drejtësisë, Adea Pirdeni, e cila e cilësoi këtë si një hap të rëndësishëm për forcimin e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Britanisë së Madhe.