DUBLIN – BE diskuton paketën e re prej 45 miliardë eurosh ndihmë për Ukrainën
DUBLIN, 13 nëntor /ATSH-DPA/ – Udhëheqësit e Bashkimit Evropian janë të ndarë lidhur me një paketë të re ndihme financiare prej miliarda eurosh për Ukrainën, ndërsa konsultimet për këtë çështje po zhvillohen në samitin e BE-së në Dublin.
Komisioni Evropian shpreson që vendet anëtare të arrijnë një marrëveshje deri në fund të vitit për t’i akorduar Kievit edhe 45 miliardë euro (49,7 miliardë dollarë) për vitin 2027.
Kancelari gjerman, Friedrich Merz ka lidhur miratimin e ndihmës së re për Ukrainën me buxhetin shumëvjeçar të ardhshëm të BE-së, për të cilin gjithashtu pritet të arrihet marrëveshje deri në fund të vitit.
Ky qëndrim ka hasur kundërshtime nga disa vende, përfshirë Çekinë dhe Sllovakinë, të cilat kërkojnë që të dyja çështjet të trajtohen veçmas.
Kryeministri sllovak Robert Fico e ka cilësuar qëndrimin e Merz si një formë shantazhi.
Kryeministri irlandez Micheal Martin, vendi i të cilit organizon takimin, shprehu gjithashtu rezerva për lidhjen e dy marrëveshjeve.
Në të kundërt, kryeministri estonez Kristen Michal dhe homologu i tij letonez Andris Kulbergs mbështetën nismën e kancelarit gjerman.
“Më pëlqeu mesazhi i Friedrich Merz se ndihma për Ukrainën është gjithashtu pjesë e sigurisë sonë dhe e financimit tonë thelbësor”, deklaroi Michal.
Deri tani, BE-ja ka miratuar 90 miliardë euro ndihmë për Ukrainën për periudhën 2026-2027.
Ndërkohë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi në tetor se buxhetit të vendit i mungojnë rreth 70 miliardë euro për vitin e ardhshëm.
Deri më tani, Bashkimi Evropian ka mbuluar afërsisht dy të tretat e nevojave financiare të Kievit. /Ad.Ab./ a.jor.