IQMT kryen 70 inspektime, gjobiten kompanitë postare dhe tregtarët e paregjistruar
Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT), në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), ka kryer 70 inspektime te kompanitë postare që shpërndajnë produkte të porositura online, siç njofton KosovaPress.
Gjatë këtyre inspektimeve, tri kompani postare u gjobitën me gjithsej 9 mijë euro, pasi refuzuan të japin të dhëna për bizneset dhe personat, produktet e të cilëve i kanë grumbulluar dhe shpërndarë. Sipas inspektoratit, këto të dhëna janë të domosdoshme për identifikimin dhe formalizimin e tregtarëve që shesin në internet.
Po ashtu, dy tregtarë të paregjistruar, të identifikuar përmes rrjeteve sociale dhe platformave online, u gjobitën dhe u urdhëruan që të regjistrohen brenda afatit të caktuar nga inspektorati. Që nga fillimi i këtyre inspektimeve, më shumë se 100 biznese janë formalizuar dhe regjistruar në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës (ARBK).
IQMT ka nisur gjithashtu inspektimin e ofertave dhe zbritjeve të Black Friday, duke krahasuar çmimet e reklamuara me ato reale dhe duke kontrolluar praktikat e padrejta apo mashtruese, në bazë të Ligjit për Mbrojtjen e Konsumatorit, për të cilat parashihen gjoba. Monitorimi i tregtisë online tashmë është pjesë e planit të rregullt të punës së inspektoratit.