Kosova shpenzoi mbi 1 miliard euro për blerje të rrymës, Ramadani: Me këto para do të ndërtohej një termocentral i ri
Deputeti i Aleancës Burim Ramadani ka kritikuar sot Qeverinë e Kosovës për gjendjen në sektorin e energjetikës, duke thënë se mungesa e planifikimit, vonesat në investime dhe mosrealizimi i objektivave kanë ndikuar drejtpërdrejt në ekonominë e vendit dhe në shpenzimet e qytetarëve.
Ramadani në seancën plenare të Kuvendit, ka deklaruar se nga viti 2021 deri në tetor 2026, Kosova ka shpenzuar mbi 1 miliard e 55 milionë euro për blerjen e energjisë elektrike, duke ngritur edhe çështjen e mos ndërtimit të një termocentrali të ri.
“Siç e dini, gjatë viteve 2021 e deri në tetor 2026, pra për 5 vjet e 10 muaj, rryma është blerë edhe shumë edhe shtrenjtë. Janë heq më pak se 1 miliard e 55 milionë që është blerë rrymë për këto 5 vjet e gjysmë. A e dini që me 1 miliard pothuajse ishte ndërtuar komplet një Termocentrali i Ri. E pyetja normalisht mbetet, pse nuk u ndërtua një termocentral i ri? Sepse, duhet ta kthejmë kokën mbrapa dhe e shohim se kjo qeveri, prej vendimeve të para kur ka ardhur në pushtet, ka qenë me mbyll projektin për termocentralin e ri. Domethënë, me këto e ka mbyllur mundësinë që Kosova të ketë rrymë të mjaftueshme. Domethënë, e ka hapur derën e madhe për të blerë rrymë dhe e ka mbyllur derën për rrymë të mjaftueshme në Kosovë”, ka deklaruar Ramadani.
Ai ka kërkuar nga Qeveria që të jep llogari për dështimet në sektorin e energjetikës, duke theksuar se varësia nga importi ekspozon vendin tonë ndaj luhatjeve të çmimeve në tregjet ndërkombëtare.
“Sektori i energjetikës është jetik për Kosovën dhe si e tillë situata në të cilën ka mungesë planifikimit të duhur, ka vonesa në investime, ka mosrealizim të objektivave, shkaktojnë pasoja të drejtpërdrejta mbi ekonominë e Kosovës dhe xhepin e qytetarëve. Varësia nga importi e ka ekspozuar Kosovën ndaj luhatjeve të çmimeve në tregjet ndërkombëtare, rajonale dhe për këtë arsye Qeveria duhet të na sqarojë se çfarë masash kanë ndërmarrë për të rritur prodhimin vendor, për të modernizuar kapacitetet ekzistuese dhe për të krijuar burime të reja të qëndrueshme energjetike. Qytetari i Kosovës nuk mund të vazhdojë të përballet me pasiguri energjetike dhe me rritje të shpenzimeve familjare. Prandaj, Qeveria e Kosovës duhet të jep llogari për çështje konkrete e rezultate të munguara, e që do të duhej të ishin konkrete. E në këtë kontekst, ministria përgjegjëse duhet të jep llogari për vonesat në realizimin e projekteve dhe për masat që do të ndërmerren sivjet për shmangien e përsëritjes së problemeve të njëjta, sidomos në këtë dimër të vështirë që po na vjen”, ka thënë Ramadani./KP