Ngrihet aktakuzë ndaj Top Kolshit për vrasjen e rëndë në Baicë të Lipjanit
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur sot aktakuzë kundër të pandehurit Top Kolshi, për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti ka kryer veprat penale vrasje e rëndë dhe mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.
Sipas aktakuzës, më 3 gusht 2025, rreth orës 16:00-18:54, në Baicë të Lipjanit, T.K. pas një mosmarrëveshje me tani të ndjerin Enver Bajraktari, dyshohet se e ka privuar nga jeta në mënyrë mizore duke e goditur me mjet të fortë në trup dhe më pas e ka lidhur me litar rreth qafës, si pasojë e së cilës viktima ka humbur jetën.
Pas kryerjes së veprës, i pandehuri dyshohet se trupin e viktimës e ka fshehur në gropë, të cilën më pas e ka mbuluar, duke fshehur mjetet të cilat i kishte përdorur gjatë kryerjes së veprës penale.
Gjatë kontrollit në shtëpinë e të pandehurit T.K., në Baicë të Lipjanit, janë gjetur dhe sekuestruar armë të llojeve të kalibrave të ndryshëm, duke përfshirë armë automatike, pushkë municion, të cilat mbaheshin pa autorizim përkatës.
Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës kompetente që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, i pandehuri për veprat penale për të cilat akuzohet të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.