E premte, 13 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Bota›Shqipëria në rrugën drejt BE-së, studimi i Parlamentit Evropian evidenton arritjet dhe sfidat

Shqipëria në rrugën drejt BE-së, studimi i Parlamentit Evropian evidenton arritjet dhe sfidat

– Shqipëria renditet ndër dy vendet e Ballkanit Perëndimor që kanë shënuar përparimin më të madh në procesin e integrimit europian, por ritmi i përshpejtuar i negociatave me Bashkimin Evropian nuk është shoqëruar ende me kapërcimin e të gjitha sfidave strukturore.

Këto janë disa nga përfundimet kryesore të studimit “Ruajtja e vrullit të zgjerimit të BE-së – Mësime nga Shqipëria dhe Mali i Zi, vendet pararojë të Ballkanit Perëndimor”, të përgatitur nga Njësia e Analizës dhe Mbështetjes së Politikave të Jashtme të Parlamentit Evropian.

Përparimi i Shqipërisë në negociatat me BE-në

Sipas studimit, Shqipëria ka shënuar përparim të rëndësishëm në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Negociatat e anëtarësimit u hapën në korrik 2022, ndërsa gjatë viteve 2024–2025 vendi hapi të gjashtë grupkapitujt e negociatave.

Në maj 2026, Shqipëria përmbushi standardet e ndërmjetme për Grupkapitullin e parë, që lidhet me çështjet themelore, ndërsa në korrik 2026 mbylli përkohësisht tre kapitujt e parë të negociatave.

Vendi synon të përfundojë negociatat e anëtarësimit deri në fund të vitit 2027. Studimi vlerëson se ky ritëm tregon angazhim të fortë politik dhe përparim në përafrimin e legjislacionit me standardet europiane.

Reforma në drejtësi dhe roli i SPAK-ut

Reforma në drejtësi e vitit 2016 konsiderohet një nga reformat më të rëndësishme institucionale të ndërmarra nga Shqipëria në kuadër të procesit të integrimit europian.

Studimi vë në dukje se SPAK-u dhe Byroja Kombëtare e Hetimit kanë krijuar një përvojë në hetimin e rasteve të korrupsionit në nivele të larta të politikës dhe administratës.

Raporti i Komisionit Europian për Shqipërinë për vitin 2025 vlerëson se SPAK-u ka ruajtur pavarësinë institucionale dhe ka vijuar punën në luftën kundër korrupsionit.

Megjithatë, studimi thekson se rezultatet duhet të konsolidohen më tej, veçanërisht përmes vendimeve përfundimtare të gjykatave në çështjet e profilit të lartë, rikuperimit të aseteve të përfituara nga korrupsioni dhe forcimit të integritetit të institucioneve.

Administrata publike, një tjetër sfidë

Studimi vëren se administrata publike shqiptare vijon të përballet me probleme të kapaciteteve, politizimit dhe ndryshimeve të shpeshta të personelit.

Pavarësisht reformave ligjore, zbatimi i parimit të meritokracisë nuk është konsoliduar plotësisht. Dokumenti rekomandon forcimin e rekrutimit mbi bazën e meritës, kufizimin e ndërhyrjeve politike në emërimet e niveleve të larta dhe përmirësimin e koordinimit mes institucioneve.

Politika e jashtme dhe mbështetja për integrimin

Shqipëria vlerësohet për përputhjen e lartë me politikën e jashtme dhe të sigurisë së përbashkët të Bashkimit Evropian, përfshirë zbatimin e masave kufizuese ndaj Rusisë.

Anëtarësimi në NATO dhe orientimi i qartë euroatlantik konsiderohen gjithashtu elemente pozitive në rrugën e vendit drejt BE-së.

Megjithatë, studimi nënvizon nevojën për forcimin e qëndrueshmërisë ndaj kërcënimeve hibride dhe fushatave të dezinformimit.

Në të njëjtën kohë, mbështetja e qytetarëve shqiptarë për anëtarësimin në BE, mbetet ndër më të lartat në rajonin e Ballkanit Perëndimor, duke kaluar rregullisht nivelin 80–90%, sipas të dhënave të Barometrit Ballkanik.

Plani i Rritjes dhe fondet evropiane

Sa i përket Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, studimi thekson se Shqipëria ka përmbushur 21 nga 41 reformat e parashikuara.

Nga fondet e mundshme prej 922 milionë eurosh për një periudhë trevjeçare, vendit i janë disbursuar pak më shumë se 200 milionë euro.

Dokumenti vlerëson se këto fonde dhe përfitimet nga integrimi gradual në tregun evropian, mund të sjellin rezultate konkrete për ekonominë shqiptare. Një shembull është pjesëmarrja në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA), e cila ul kostot dhe lehtëson transfertat ndërkufitare në euro.

Megjithatë, studimi thekson se mbështetja financiare mbetet modeste në raport me nevojat e zhvillimit të Shqipërisë. Integrimi gradual duhet të shërbejë si urë drejt anëtarësimit të plotë dhe jo si zëvendësim i tij.

Përfundimet kryesore të studimit

Në përfundim, studimi vlerëson se Shqipëria dhe Mali i Zi kanë treguar se angazhimi i qëndrueshëm politik, zbatimi i reformave dhe kushtëzimi i besueshëm nga BE-ja mund të përshpejtojnë procesin e negociatave.

Megjithatë, përparimi në përafrimin e ligjeve me standardet evropiane nuk mjafton.

Sipas dokumentit, pengesat për zgjerimin e BE-së nuk janë më vetëm teknike, por gjithnjë e më shumë lidhen me faktorë politikë, si qëndrimet e shteteve anëtare, mosmarrëveshjet dypalëshe dhe zhvillimet e brendshme politike në vendet kandidate.

Studimi nënvizon gjithashtu se procesi i zgjerimit duhet të mbetet i besueshëm dhe se përpjekjet për reforma duhet të shoqërohen me përgatitjen e vetë Bashkimit Evropian për anëtarësimin e vendeve të reja. /

Lini një koment