E premte, 13 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Lajme nga Shqiperia›Negociatat me BE-në, Gjipali zbulon kapitujt ku Shqipëria ka më shumë vështirësi

Negociatat me BE-në, Gjipali zbulon kapitujt ku Shqipëria ka më shumë vështirësi

Shqipëria është në prag të mbylljes së tre kapitujve të tjerë në negociatat për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, që lidhen me shoqëritë tregtare, peshkimin dhe pronësinë intelektuale. Me përmbylljen e tyre, numri i kapitujve të mbyllur do të shkonte në shtatë.

Në një lidhje të drejtpërdrejtë në edicionin qendror të lajmeve në televizionin kombëtar Vizion Plus me moderator Aleksandër Furxhi, drejtuesi i Lëvizjes Evropiane në Shqipëri, Gledis Gjipali, vlerësoi se këta kapituj kanë ndikim të drejtpërdrejtë te qytetarët dhe bizneset.

Gjipali u ndal edhe te çështjet më të vështira të negociatave, duke veçuar mjedisin, standardet e produkteve dhe shtetin e së drejtës.

Ai theksoi se disa prej pikave të negociimit mbeten konfidenciale, duke e cilësuar këtë si një mangësi që pengon përfshirjen e grupeve të interesit.

Sa i përket objektivit për mbylljen e negociatave deri në fund të vitit 2027, eksperti nënvizoi se ky proces nuk nënkupton anëtarësim të menjëhershëm, pasi më pas nevojitet edhe miratimi unanim i vendeve anëtare të BE-së.

INTERVISTA E PLOTË:

Flasim sot për tre kapituj të tjerë që kanë të bëjnë me shoqëritë tregtare, me peshkimin dhe me pronësinë intelektuale. Cila është rëndësia e tyre?

Gledis Gjipali: Kemi filluar të hyjmë te kapituj të rëndësishëm që kanë një impakt të drejtpërdrejtë te qytetarët. Sigurisht që edhe këta kapituj janë ata në të cilët kemi ecur më mirë dhe janë afër mbylljes. Pra, mund të mbyllen në ditët apo javët e ardhshme dhe janë të rëndësishëm. Bëhet fjalë për tregun e brendshëm, pra tregtinë dhe ekonominë, që janë të lidhura drejtpërdrejt me bizneset. Gjithashtu peshkimi, i cili ka standarde të sigurisë, po ashtu edhe pjesën e tregtisë. Pra është një kapitull po ashtu i rëndësishëm për një vend bregdetar si Shqipëria, ku peshkimi zë një rol të rëndësishëm, dhe kuptohet që brenda Bashkimit Europian do të zërë një rol edhe më të madh me mbështetjen që ofrohet atje. Por të rëndësishme janë standardet në këtë fazë në të cilën flasim, dhe të tre këta kapituj janë të rëndësishëm për të avancuar më tej Shqipërinë më afër Bashkimit Europian.

Kujtojmë që janë sigurisht 33 kapituj gjithsej që do të duhet të mbyllen sipas objektivit që ka vendosur Shqipëria deri në fund të vitit të ardhshëm. Ndërkohë kujtoj se ministrja e Shtetit, Majlinda Dhuka, ka folur para pak ditësh për 101 pika që janë në proces diskutimi apo negociate. Janë shumë sigurisht këto pika, por cilat janë ato më të ndjeshmet apo delikatet për sa i takon Shqipërisë?

Gledis Gjipali: Kryesisht ato më delikatet, që kanë pasur eksperiencë të njëjtë edhe vendet e tjera, kanë të bëjnë me mbrojtjen e produkteve të vendit, me mbrojtjen e biznesit me dispozita tranzitore, pra në disa raste ku i jepet më shumë kohë vendit për t’u përgatitur edhe pas anëtarësimit, sepse janë fusha të cilat kërkojnë një financim të madh që është e pamundur për t’u arritur në vitet e ardhshme. Për shembull, çështjet e mjedisit janë edhe më të kushtueshmet dhe më të vështirat për t’u arritur. Por nga ana tjetër duhet thënë që të gjitha këto pika nuk janë publike, janë ende konfidenciale, dhe kjo në fakt është një mangësi e procesit sepse pengon edhe përfshirjen e grupeve të interesit, të biznesit që preket në mënyrë të drejtpërdrejtë, por edhe kategori të tjera të shoqërisë, të cilët do të duhet të jenë të përfshirë më mirë në process.

Po ndërkohë a mund të flitet ose a dihet se cilët janë ata kapituj apo çështje në të cilat Shqipëria mund të konsiderohet se është më mbrapa?

Gledis Gjipali: Po, në udhërrëfyesin e propozuar nga Komisioni Europian vetëm pak ditë më parë është bërë një ndarje, po themi një parashikim optimist do të thosha, por që është i mundshëm për Shqipërinë, se cilët kapituj mund t’i mbyllë brenda këtij viti, cilët në gjashtëmujorin e parë dhe cilët në gjashtëmujorin e dytë të 2027-s. Dhe në gjashtëmujorin e dytë janë ata më problematikët. Kuptohet, grup-kapitulli i themeloreve që ka të bëjë me shtetin e së drejtës, kjo edhe për faktin se metodologjia e vendos në fund për shkak të rëndësisë që ka. Ndërsa kapitujt e tjerë kanë të bëjnë me mjedisin që përmenda, Kapitullin 1 që ka të bëjë me lëvizjen e lirë të mallrave që është tregtia, do të thotë standardet e mallrave që ne blejmë e konsumojmë dhe është një kapitull shumë i vështirë. Kërkon një ndërthurje jo vetëm të institucioneve, por edhe të biznesit dhe prodhuesve për të arritur ato standardet e duhura, dhe ka të bëjë direkt me konkurrueshmërinë e vendit. Këta janë kapitujt kryesorë ku kërkohet shumë më tepër punë për të arritur në finalizim.

Në momentin që Shqipëria i mbyll negociatat, pra le ta vendosim pak veten në fund të vitit 2027 me objektivin e arritur çfarë do të thotë kjo?A do të ishte Shqipëria menjëherë e gatshme për të aderuar apo mbetet në fuqi gjithmonë pikëpyetja lidhur me qëndrimin e secilit shtet ndaj Shqipërisë?

Gledis Gjipali: Po, në radhë të parë ka një proces që zgjat disa vite deri në anëtarësim. Dhe gjatë këtij procesi vendi vlerësohet se si i zbaton ato reforma, atë legjislacion të ndërmarrë. Prandaj edhe kapitujt quhen gjithmonë të mbyllur provizorisht. Ti duhet të vazhdosh të kesh progres. Kjo është nga ana jonë, nga pala shqiptare. Nga ana europiane është gjithmonë e panjohura e vendeve anëtare se si do të vendosin. Pra, do të duhet patjetër unanimitet. Mos të harrojmë për shembull se Franca është një nga vendet më problematike, sepse ka kërkuar që pas anëtarësimit të Kroacisë çdo anëtarësim të bëhet me ratifikim në referendum popullor, që është shumë i vështirë për t’u arritur; ndryshe do të duhen 3/5-at në parlamentin e tyre për ta kaluar pa referendum. Por edhe vende të tjera sigurisht që nuk mund t’i marrim për të mirëqena, sepse nuk e dimë se si zhvillohen politikat e tyre të brendshme. Forcat anti-zgjerim mund të marrin më shumë pushtet apo mund të vijnë në pushtet në disa vende të rëndësishme, gjë që e rrezikon në fakt procesin për t’u finalizuar në një periudhë afatshkurtër.

Lini një koment