E premte, 13 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Bota›FOKUS – Italia dhe Polonia në frontin diplomatik për Ukrainën, BE-ja kërkon zë më të fortë në negociata

FOKUS – Italia dhe Polonia në frontin diplomatik për Ukrainën, BE-ja kërkon zë më të fortë në negociata

– Udhëheqësit e Bashkimit Evropian kanë rënë dakord që Italia dhe Polonia të përfshihen në ekipin evropian, që do të marrë pjesë në negociatat e ardhshme për përfundimin e luftës në Ukrainë, duke zgjeruar përfaqësimin përtej formatit tradicional të Francës, Gjermanisë dhe Britanisë së Madhe, raportoi “Reuters”.

Sipas një marrëveshjeje të arritur në takimin e liderëve evropianë në Dublin, përfaqësimi i Evropës në bisedimet e ardhshme do të përfshijë pesë vende: Francën, Gjermaninë, Britaninë e Madhe, Italinë dhe Poloninë, krahas institucioneve të Bashkimit Evropian. Në proces pritet të përfshihet edhe NATO.

Vendimi synon të sigurojë një zë më të unifikuar evropian, në negociatat për Ukrainën, në një kohë kur vendet evropiane kërkojnë të mos mbeten jashtë diskutimeve, që lidhen drejtpërdrejt me sigurinë e kontinentit.

Presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, theksoi se Evropa duhet të flasë me një zë të vetëm për Ukrainën dhe sigurinë e saj.

Çështja e përfaqësimit evropian u kthye në një nga temat kryesore të takimit në Dublin, pasi vendet anëtare kishin qëndrime të ndryshme për mënyrën se si duhet të organizohej pjesëmarrja në negociata.

Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, kishte kërkuar më herët që Evropa të përcaktonte një përfaqësues me mandat të qartë, duke paralajmëruar se nismat e ndryshme diplomatike rrezikonin të dobësonin peshën e saj në negociata.

Edhe Polonia kishte kërkuar që interesat e vendeve të Evropës Lindore të përfaqësoheshin në proces.

Kryeministri polak, Donald Tusk, ka shprehur shqetësimin se vendimet për sigurinë e kontinentit nuk duhet të merren pa përfshirjen e vendeve të rajonit.

Zelensky konfirmon pjesëmarrjen e Evropës në negociata

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, konfirmoi se Evropa do të jetë pjesë e drejtpërdrejtë e raundit të ardhshëm të negociatave.

“Herën tjetër, në takimin e ardhshëm, Evropa do të jetë pjesë e ekipit negociator”, deklaroi ai për gazetarët në Dublin.

Përfshirja evropiane u konfirmua edhe nga i dërguari amerikan, Jared Kushner, i cili theksoi se një marrëveshje për përfundimin e luftës nuk mund të arrihet pa pjesëmarrjen e vendeve europiane në tryezë.

Këto zhvillime vijnë pas dy ditësh bisedimesh mes përfaqësuesve të Ukrainës, Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara të Anerikës në Abu Dabi, si dhe takimit të të dërguarve amerikanë, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, me presidentin rus, Vladimir Putin, në Moskë.

Diskutimet në Abu Dabi kanë shënuar përparim në disa çështje, por nuk kanë sjellë ende një marrëveshje për çështjen e territoreve, një nga pengesat kryesore për përfundimin e luftës.

Përplasjet për të ardhmen e sigurisë evropiane

Një tjetër çështje e ndjeshme në negociata është arkitektura e ardhshme e sigurisë në Evropë.

Moska ka kërkuar që diskutimet për përfundimin e luftës të përfshijnë edhe një marrëveshje më të gjerë për rendin e sigurisë në kontinent.

Kancelari gjerman, Friedrich Merz, kundërshtoi këtë qasje, duke theksuar se nuk mund të zhvillohen bisedime për Ukrainën pa Ukrainën dhe për Evropën pa Evropën.

Ai nënvizoi se struktura e sigurisë evropiane ekziston tashmë dhe nuk duhet të përdoret, si mënyrë për të shmangur çështjen kryesore të luftës.

Nga ana tjetër, Rusia deklaroi se do ta mirëpriste pjesëmarrjen e vendeve evropiane në negociata, nëse ato angazhohen realisht për paqen.

Megjithatë, Moska kërkon që diskutimet të përfshijnë edhe çështjet më të gjera të sigurisë europiane.

Në takimin e Komunitetit Politik Evropian në Dublin, 43 vende nënshkruan një deklaratë ku theksuan se vendimet që lidhen me sigurinë e Evropës, duhet të merren me pjesëmarrjen e vetë vendeve evropiane.

Dokumenti nënvizoi gjithashtu nevojën për garanci të forta dhe të besueshme sigurie për Ukrainën, me qëllim parandalimin e një agresioni të ri.

Përfshirja e Italisë dhe Polonisë në ekipin evropian, synon të zgjerojë përfaqësimin politik dhe gjeografik të kontinentit në negociata.

Megjithatë, mbetet për t’u përcaktuar mandati konkret i përfaqësuesve dhe mënyra se si do të koordinohen institucionet europiane, vendet pjesëmarrëse dhe NATO-ja.

Sfidë për negociatat mbetet arritja e një qëndrimi të përbashkët për çështjet territoriale, garancitë e sigurisë dhe kushtet për një marrëveshje të qëndrueshme paqeje. /

Lini një koment