Skema e dyshuar e tjetërsimit të 44 mijë metër katror tokë në Fier, si u zbulua mashtrimi që çoi në pranga ish-zyrtarë
Fillesa e hetimit, që çoi në pranga 3 ish-zyrtarë vendorë në Fier, mes të cilëve drejtori aktual i Spitalit Memorial, Arben Voja, dhe një notere, ka qenë një kallëzim i bërë në policinë e Fierit më 29 shtator të këtij viti.
Kallëzuesi pretendonte se pa dijeninë dhe pëlqimin e tij ishte bërë pronar i një sipërfaqeje prej 44 mijë e 100 metër katrorë pronë shtet në fshatin Povleçë të Fierit, që më pas ishte shitur tek palë të treta me qëllim ndërtimin e një parku voltaik.
Hetimi i rastit nga Prokuroria e Fierit ngriti dyshime se prona shtet e pretenduar në kallëzim kishte kaluar në pronësi private përmes një zinxhiri dokumentesh të falsifikuara, mes tyre, certifikata e vërtetimit të pronësisë, kartela e pasurisë dhe dy prokura noteriale.
Prona prej 44 mijë m2 e regjistruar në emër të kallëzuesit, duke përdorur referencat e një tjetër prone të tij, rezultonte të ishte shitur më pas tek palë të treta. Si përfaqësues i shitësve, me prokurë, ishte Dilaver Shyti, ish-kreu i Njësisë Administrative Dërmenas. Prokuroria ka dokumentuar kalimin e një shifre prej 88 mijë e 200 euro, në llogarinë e përfaqësuesit, por që dyshohet të mos jetë ccmimi real i shitjes. Me tej, kalimi i pronësisë është regjistruar në Agjencinë e Kadastrës Fier në shkurt 2023 pa u kryer verifikimet e detyrueshme ligjore.
Sipas hetimit, pas kallëzimit, i dyshuari Dilaver Shyti, ju ka dorëzuar të dëmtuarve, në kesh, shumën prej 15.000 Euro, me qëllim tërheqjen e kallëzimit. Në lidhje me këtë skemë të dyshuar abuzimi, Gjykata e Fierit caktoi masën e sigurisë “arrest në burg” për Arben Vojën, ish-drejtor i Kadastrës, Dilaver Shytin, ish-kreun e Njësisë Dërmenas, Fjorelo Bidan, punonjës në kadastrën e Fierot, si edhe noteren Anila Haxhiu për akuza të “falsifikimit”, “mashtrimit” dhe “pastrimit të parave”. Punonjësja tjetër e ASHK, Arbina Jaupaj u la në detyrim paraqitje.
Gjatë kontrollit ushtruar në banesën e drejtorit të spitalit, Vojo, brenda një sirtari të mbyllur me çelës u sekuestruan afro 31 mijë euro, 600 mijë lekë, 5 mijë kurora norvegjeze, 1400 dollarë kanadezë, si edhe gati 100 fishekë luftarakë dhe arme gjahu.