E premte, 13 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Kosova›Buxheti social i Kosovës

Buxheti social i Kosovës

Projektbuxheti i vitit 2027 parasheh rritje të pagave, shtesave për fëmijë dhe pensioneve, ndërsa Qeveria planifikon investime kapitale mbi 1 miliard euro. Opozita dhe ekspertët ngrenë pikëpyetje për realizimin e investimeve dhe respektimin e afateve ligjore.

Nga Prishtina, Fatos Shala

Qeveria e Kosovës ka planifikuar të shpenzojë 4.27 miliardë euro gjatë vitit 2027, në një projektbuxhet që parasheh rritje të shpenzimeve për paga, pensione dhe skema sociale, por edhe investime kapitale që për herë të parë kalojnë pragun prej 1 miliard eurosh.

Projektbuxheti, i miratuar më 2 nëntor, është rreth 300 milionë euro më i lartë se buxheti fillestar i vitit 2026 dhe 200 milionë euro mbi buxhetin e rishikuar për këtë vit. Qeveria e ka proceduar atë në Kuvend, ku pritet të shqyrtohet dhe të votohet në dy lexime deri në fund të vitit.

Kryeministri Albin Kurti, gjatë prezantimit të projektbuxhetit, e cilësoi atë si rekord, duke e lidhur rritjen e tij me zgjerimin e ekonomisë dhe qëndrueshmërinë e financave publike.

Sipas z. Kurti, ekonomia e Kosovës ka shënuar rritje prej 5.4% në tremujorin e parë dhe 4.1% në tremujorin e dytë të vitit 2026.

“Kjo na vendos te vendet me rritjen më të shpejtë në rajon dhe më gjerë. Kjo nënkupton edhe rritjen në vazhdimësi të buxhetit dhe qëndrueshmërinë e financave publike”, deklaroi z. Kurti.

Megjithatë, projektbuxheti ka nxitur kritika lidhur me mënyrën e shpërndarjes së mjeteve, aftësinë e Qeverisë për t’i realizuar investimet e planifikuara dhe respektimin e afateve ligjore gjatë procedimit të tij.

Mbi 1.4 miliardë euro për pensione, shtesa dhe skema sociale

Pjesa më e madhe e buxhetit për vitin 2027 është planifikuar për subvencione dhe transferta, kategori në të cilën përfshihen pensionet, shtesat për fëmijë, ndihmat sociale dhe forma të tjera të mbështetjes financiare.

Për këtë kategori janë paraparë rreth 1.45 miliardë euro, që përbëjnë një nga zërat më të mëdhenj të shpenzimeve publike.

Sipas ministrit të Financave, Hekuran Murati, kjo kategori është rritur për 6.5% krahasuar me vitin 2026, kryesisht për shkak të rritjes së planifikuar të pensioneve dhe shtesave për fëmijë.

Një prej masave të përfshira në projektbuxhet është rritja e shtesave për fëmijë me 25% nga 1 janari 2027. Qeveria synon që këto shtesa të rriten gradualisht në vitet e ardhshme, me qëllim dyfishimin e tyre deri në vitin 2030.

Sipas shembullit të dhënë nga kryeministri Kurti, një familje me dy fëmijë, e cila aktualisht merr 60 euro në muaj, nga janari i vitit të ardhshëm pritet të përfitojë 75 euro.

Në këtë kategori përfshihet edhe financimi i skemave pensionale dhe sociale, të cilat zënë një pjesë të konsiderueshme të shpenzimeve të përgjithshme të shtetit.

Mbi 1 miliard euro për paga, rritet koeficienti në korrik

Për paga dhe shtesa të punonjësve të sektorit publik, Qeveria ka planifikuar 1.085 miliardë euro, apo rreth një të katërtën e buxhetit të përgjithshëm.

Kjo shumë është më e lartë krahasuar me buxhetin fillestar të vitit 2026, kur për këtë kategori ishin planifikuar mbi 980 milionë euro.

Rritja e buxhetit për paga lidhet edhe me vendimin e Qeverisë për ngritjen e vlerës së koeficientit të pagave nga 110 në 120 euro, duke filluar nga 1 korriku i vitit 2027.

Përveç kësaj, projektbuxheti parasheh edhe pagën e 13-të për punonjësit që paguhen nga buxheti i shtetit, e cila pritet të paguhet gjatë pjesës së parë të vitit.

“Njësoj sikurse sivjet, buxheti 2027 parasheh edhe në vitin tjetër pagën e 13-të, dhe krahas saj edhe rritjen e koeficientit të pagave në 120 euro nga data 1 korrik 2027.

Pra, në pjesën e parë të vitit paga e 13-të, kurse në pjesën e dytë të vitit, rritje e pagës për të gjithë nëpunësit që marrin pagë nga buxheti”, ka thënë z. Kurti.

Në projektbuxhet janë planifikuar gjithsej 91.631 vende pune në sektorin publik, apo 470 më shumë sesa në buxhetin e vitit 2026. Kjo shifër paraqet pozitat e planifikuara dhe nuk nënkupton domosdoshmërisht numrin e punonjësve të angazhuar.

Investimet kapitale kalojnë 1 miliard euro, por realizimi mbetet sfidë

Një nga kategoritë e rëndësishme të projektbuxhetit janë investimet kapitale, për të cilat Qeveria ka ndarë rreth 1.07 miliardë euro.

Kjo shumë është më e lartë sesa në buxhetin fillestar të vitit 2026, kur për investime kapitale ishin planifikuar rreth 998 milionë euro.

Sipas projektbuxhetit, investimet do të përqendrohen në infrastrukturën e transportit, energjisë, arsimit, shëndetësisë dhe shërbimeve sociale.

Ndër projektet e përfshira janë Unaza e Jashtme e Prishtinës, segmenti rrugor Duhël-Banullë, autoudha e Dukagjinit dhe projekte të tjera infrastrukturore.

Ministri Murati ka bërë të ditur se në projektbuxhet janë përfshirë edhe ndërtimi i digave, lidhja e autostradave “Ibrahim Rugova” dhe “Arbën Xhaferi”, si dhe infrastruktura sportive për Lojërat Mesdhetare të vitit 2030 dhe zhvillimi i turizmit.

Por, pavarësisht rritjes së mjeteve të planifikuara, realizimi i investimeve kapitale mbetet një prej sfidave kryesore të Qeverisë.

Gjatë nëntë muajve të parë të vitit 2026, sipas të dhënave të prezantuara nga ministri Murati, janë realizuar vetëm 37% e investimeve kapitale të planifikuara.

Kjo përqindje tregon se një pjesë e konsiderueshme e mjeteve të parapara për investime nuk është shpenzuar gjatë periudhës përkatëse.

Z. Murati ka fajësuar për këtë situatë vonesat në procedurat e prokurimit publik, veçanërisht ankesat dhe proceset në Organin Shqyrtues të Prokurimit, si dhe faktin që Kosova e nisi vitin 2026 pa buxhet të miratuar.

Buxheti i këtij viti ishte miratuar më 20 shkurt, pas krizës politike dhe institucionale, gjatë së cilës institucionet kishin funksionuar me financim të përkohshëm.

Komunat përfitojnë 908 milionë euro

Për komunat e Kosovës, Qeveria ka paraparë 908 milionë euro financim direkt, duke e cilësuar këtë si një nga buxhetet më të larta për pushtetin lokal.

Kjo shumë është rreth 41 milionë euro më e lartë sesa në buxhetin fillestar të vitit 2026, kur për komunat ishin ndarë 867 milionë euro.

Kryeministri Kurti ka thënë se rritja e financimit për pushtetin lokal është rezultat i zgjerimit të granteve qeveritare dhe rritjes së vazhdueshme të buxhetit.

Për mallra dhe shërbime, Qeveria ka planifikuar rreth 589 milionë euro, krahasuar me rreth 545 milionë euro në buxhetin fillestar të vitit 2026.

Në projektbuxhet janë paraparë gjithashtu më shumë mjete për barna esenciale. Sipas kryeministrit Kurti, një pjesë e financimit për këtë kategori është siguruar përmes përgjysmimit të buxhetit për udhëtime jashtë vendit.

Projektbuxheti përfshin edhe themelimin e kompanisë së parë ajrore të Kosovës, si dhe rritjen e mbështetjes financiare për ekipet mbrojtëse të katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të dënuar në shkallë të parë nga Dhomat e Specializuara në Hagë.

Ministria e Punës me buxhetin më të madh, Ekonomia me rënien të theksuar

Në ndarjen e mjeteve për institucionet qendrore, Ministria për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare është institucioni me buxhetin më të madh, me mbi 1.1 miliardë euro.

Në anën tjetër, Ministria e Zhvillimit Rural ka buxhetin më të vogël.

Projektbuxheti parasheh rritje të mjeteve për disa ministri, ndërsa për të tjera janë planifikuar shkurtime.

Ministria e Mbrojtjes pritet të ketë 8 milionë euro më shumë sesa në vitin 2026, ndërsa Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, 5 milionë euro më shumë.

Rritje janë planifikuar edhe për Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, me 7.7 milionë euro, si dhe për Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, me rreth 1.9 milionë euro.

Në anën tjetër, ulja më e madhe është paraparë për Ministrinë e Ekonomisë, buxheti i së cilës pritet të zvogëlohet nga rreth 79 milionë euro në vitin 2026, në 23.4 milionë euro në vitin 2027.

Kjo paraqet një rënie prej rreth 55.6 milionë eurosh.

Buxheti i Ministrisë së Shëndetësisë pritet të ulet për mbi 1.3 milionë euro, ndërsa ai i Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës të rritet nga 199 milionë në mbi 217 milionë euro.

Për Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës janë planifikuar rreth dy milionë euro më pak se në vitin 2026, por krahasimi nuk është i drejtpërdrejtë, pasi teknologjia dhe inovacioni nuk janë më pjesë e fushëveprimit të saj.

Opozita kritikon realizimin e investimeve dhe procedimin e buxhetit

Projektbuxheti për vitin 2027 ka nxitur kritika nga deputetë të opozitës, të cilët kanë vënë në pikëpyetje aftësinë e Qeverisë për t’i realizuar planifikimet dhe kanë kundërshtuar mënyrën e procedimit të tij në Kuvend.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Arben Mustafa, ka thënë se përfshirja e 1 miliard eurove për investime kapitale në buxhet nuk nënkupton se ato mjete do të shpenzohen, nëse projektet nuk zbatohen.

Ai ka përmendur realizimin e ulët të investimeve kapitale gjatë vitit 2026 si dëshmi të, sipas tij, mungesës së aftësive të Qeverisë për të realizuar planifikimet.

“Përfshirja e 1 miliard eurove në buxhet nuk nënkupton 1 miliard euro investime nëse ato projekte nuk zbatohen. Shohim që për këtë vit deri në shtator janë zbatuar më pak se 30% e investimeve kapitale të planifikuara për vitin 2026.

Pra kemi të bëjmë me mungesë të aftësive, me dështim të vazhdueshëm të kësaj qeverie për të zbatuar atë që e planifikon në buxhet”.

Kritika janë adresuar edhe për afatin e procedimit të projektbuxhetit në Kuvend.

Sipas Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike, afati i fundit për dorëzimin e projektbuxhetit në Kuvend ishte 31 tetori. Megjithatë, Qeveria e ka miratuar atë më 2 nëntor.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se afati është respektuar, pasi 31 tetori këtë vit ka qenë ditë e shtunë dhe jo ditë pune.

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka kritikuar këtë arsyetim, duke thënë se në të kaluarën, Qeveria nuk i ka pritur komunat kur ato kanë miratuar buxhetet pas afatit ligjor.

“Në vitet e kaluara, kur ndonjë komunë e miratonte buxhetin komunal pas afatit ligjor, Qeveria nuk e përfshinte atë komunë në buxhetin e përgjithshëm.

Në raste të tilla, buxheti i asaj komune duhej t’i nënshtrohej veçmas procedurave të miratimit në Qeveri dhe në Kuvend.

Me gjithë tenderat e shumtë me negocim, në gjashtë muajt e parë të këtij viti është shpenzuar vetëm 37% e buxhetit për investime kapitale.

Nga 1.02 miliardë euro të planifikuara për këtë vit për investime kapitale, vetëm 377 milionë euro janë shpenzuar.

Pjesa e mbetur prej 643 milionë eurosh nuk ka gjasa të shpenzohet as për së afërmi në muajt e mbetur deri në përmbyllje të vitit.

Në shumën e shpenzuar prej 377 milionë eurosh përfshihen edhe 82 milionë euro për pagesa për vendime gjyqësore, duke i ulur investimet kapitale në 295 milionë euro”

AKB: Buxhet i madh, por orientim i pamjaftueshëm për zhvillim ekonomik

Kritika për strukturën e Projektbuxhetit 2027 ka bërë edhe sektori i biznesit. Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB), pas analizimit të dokumentit, ka shprehur shqetësimin se ndarja e planifikuar e mjeteve nuk po i jep peshën e duhur zhvillimit të sektorit privat, prodhimit vendor, eksporteve dhe investimeve të reja.

AKB-ja vlerëson se buxheti prej 4.27 miliardë eurosh, ndonëse paraqitet si rekord, nuk përbën domosdoshmërisht dëshmi të zhvillimit ekonomik, nëse një pjesë e madhe e mjeteve orientohet drejt shpenzimeve dhe nuk krijon kapacitete të reja prodhuese.

“Projektbuxheti prej rreth 4.27 miliardë eurosh paraqitet si buxhet rekord, por madhësia e tij nuk është dëshmi e zhvillimit ekonomik. Ajo që ka rëndësi është se sa nga këto mjete krijojnë vlerë të re ekonomike, rrisin prodhimin, fuqizojnë bizneset dhe krijojnë vende të qëndrueshme pune”, thuhet në reagimin e AKB-së.

Organizata e bizneseve ka vënë në pah edhe orientimin e lartë të buxhetit drejt pagave, subvencioneve dhe transfereve, duke vlerësuar se pa një program më të fuqishëm zhvillimor për bizneset, këto shpenzime nuk garantojnë qëndrueshmëri ekonomike afatgjatë.

Një prej çështjeve që AKB-ja e ka veçuar është edhe zvogëlimi i buxhetit të Ministrisë së Ekonomisë, nga rreth 79 milionë euro në vitin 2026 në 23.4 milionë euro për vitin 2027.

Sipas saj, kjo ulje kërkon sqarim nga institucionet, në një kohë kur bizneset kanë nevojë për energji më të përballueshme, investime industriale dhe mbështetje për konkurrueshmëri.

AKB-ja ka ngritur shqetësime edhe për realizimin e investimeve kapitale, duke iu referuar të dhënave për shpenzimin e vetëm 37% të mjeteve të planifikuara gjatë nëntë muajve të parë të vitit 2026.

Sipas saj, problemi nuk qëndron vetëm te ndarja e mjeteve në buxhet, por edhe tek aftësia e institucioneve për t’i realizuar projektet e planifikuara.

Në këtë drejtim, AKB-ja ka kërkuar krijimin e një fondi zhvillimor për prodhimin vendas dhe ndërmarrjet prodhuese, mbështetje më të madhe për eksportuesit, lehtësime fiskale për investimet private dhe industriale, si dhe masa për uljen e kostos së energjisë për bizneset.

Po ashtu, ka kërkuar rritjen e realizimit të investimeve kapitale dhe mbështetje më të fuqishme për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.

AKB-ja ka theksuar se nuk e kundërshton rritjen e pagave, pensioneve dhe mbështetjes sociale, por konsideron se këto politika duhet të mbështeten në një ekonomi prodhuese dhe në një sektor privat të fuqishëm.

GAP: Ndryshon struktura e shpenzimeve, dominojnë skemat sociale

Për ndryshimet në strukturën e buxhetit ndër vite ka folur edhe drejtori i Institutit GAP, Blendi Hasaj.

Sipas tij, në të kaluarën investimet kapitale kanë qenë ndër kategoritë dominuese të shpenzimeve publike, ndërsa në vitet e fundit vërehet një peshë më e madhe e skemave sociale.

“Rreth viteve 2018 ose më herët, kategoria të themi e investimeve kapitale ka qenë diku aty e dyta në radhë, të themi deri diku ndoshta edhe e treta, pra ka dominuar si kategori, i është dhënë më shumë prioritet investimeve, ndërsa së fundmi në vitet e fundit e shohim një dominim më të madh veç te kategoria e skemave sociale”, ka thënë z. Hasaj.

Ky ndryshim në strukturën e shpenzimeve reflektohet edhe në projektbuxhetin e vitit 2027, ku subvencionet dhe transfertat përbëjnë kategorinë më të madhe, përpara pagave dhe investimeve kapitale.

Projektbuxheti i vitit 2027 tashmë i është dërguar Kuvendit të Kosovës, ku pritet të shqyrtohet dhe të votohet në dy lexime deri në fund të vitit.

Gjatë këtij procesi, deputetët mund të propozojnë ndryshime në ndarjet buxhetore, ndërsa miratimi përfundimtar do të përcaktojë strukturën e shpenzimeve për vitin e ardhshëm.

Lini një koment