E premte, 13 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Bota›FAA pezullon nisjet e fluturimeve në të gjithë SHBA-në për arsye sigurie

FAA pezullon nisjet e fluturimeve në të gjithë SHBA-në për arsye sigurie

UASHINGTON, 13 nëntor, ATSH – Administrata Federale e Aviacionit në SHBA (FAA) ka urdhëruar pezullimin e nisjeve të fluturimeve në të gjithë vendin, duke përmendur rrethana të jashtëzakonshme dhe arsye sigurie.

Sipas Reuters, vendimi u mor pas problemeve serioze të raportuara në komunikimin e kontrollit të trafikut ajror.

Pak përpara urdhrit në shkallë kombëtare, FAA kishte ndaluar trafikun ajror në Çikago, për shkak të problemeve të komunikimit.

Në njoftimin e saj, agjencia udhëzoi operatorët ajrorë që të gjitha fluturimet në nisje të qëndrojnë në tokë deri në një njoftim të mëtejshëm. Fluturimet ndërkombëtare që mbërrijnë në SHBA do të menaxhohen rast pas rasti.

Reuters thekson se ky është ndalimi i dytë kombëtar i nisjeve të fluturimeve në SHBA që prej sulmeve të 11 shtatorit 2001. Ndalimi i mëparshëm u regjistrua në janar 2023, pas një defekti në sistemin e njoftimeve të sigurisë për pilotët dhe zgjati më pak se dy orë.

Lini një koment