E premte, 13 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Bota›MUZIKË – Laura Pausini fiton çmimin e pestë “Latin Grammy” me albumin “Yo Canto 2”

MUZIKË – Laura Pausini fiton çmimin e pestë “Latin Grammy” me albumin “Yo Canto 2”

ROMË, 13 nëntor /ATSH-ANSA/- Këngëtarja italiane Laura Pausini ka fituar çmimin e pestë ”Latin Grammy” në karrierën e saj, këtë herë me albumin “Yo Canto 2”, i vlerësuar në kategorinë “Albumi më i mirë tradicional pop”.

Çmimi iu dha gjatë edicionit të 27-të të çmimeve “Latin Grammy Awards”, që u zhvillua në arenën “MGM Grand Garden Arena”, në Las Vegas.

Ky është vlerësimi i pestë “Latin Grammy” për Pausini dhe çmimi i gjashtë i rëndësishëm që ajo merr nga Akademia Latine e Regjistrimeve, e cila në vitin 2023 e shpalli “Personazhi i Vitit”.

Ajo ishte artistja e parë që nuk e kishte spanjishten gjuhë amtare, e cila u nderua me këtë titull prestigjioz.

Fitorja e këtij viti vjen falë albumit “Yo Canto 2”, një projekt muzikor përmes të cilit këngëtarja italiane, i bën homazh disa prej këngëve më të njohura dhe autorëve më të rëndësishëm të muzikës në gjuhën spanjolle.

Pausini është shprehur e lumtur dhe mirënjohëse për këtë vlerësim, duke theksuar rëndësinë e albumit, të cilin ia ka kushtuar muzikës latine në gjuhën spanjolle dhe kantautorëve që e kanë frymëzuar gjatë karrierës së saj.

Ajo ia kushtoi këtë çmim autorëve dhe interpretuesve që kanë kontribuar në zhvillimin dhe përhapjen e muzikës latine në mbarë botën.

Ky vlerësim vjen pas turneut të saj botëror “Io Canto / Yo Canto World Tour 2026/2027”, i cili shiti më shumë se 500 mijë bileta të shitura në mbarë botën.

Turneu do të vijojë gjatë vitit 2027 me koncerte në Amerikën Latine dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa këngëtarja do të rikthehet edhe në Itali, ku do të performojë në disa stadiume.

Koncertet janë planifikuar në qytete të ndryshme italiane, përfshirë Lignano Sabbiadoro, Messina, Bari, Pescara dhe Romë.

Turneu do të vijojë në vjeshtë me ndalesa në Londër, Lion, Paris, Goteborg, Amsterdam, Zagreb dhe Milano. /

Lini një koment