E premte, 13 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Bota›SHBA – Paralizohet trafiku ajror, pezullohen të gjitha fluturimet deri në një njoftim të dytë

SHBA – Paralizohet trafiku ajror, pezullohen të gjitha fluturimet deri në një njoftim të dytë

– Trafiku ajror në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është përballur me një ndërprerje të papritur, pasi Administrata Federale e Aviacionit (FAA) ka urdhëruar pezullimin e të gjitha fluturimeve që nisen nga aeroportet amerikane, duke përmendur rrethana të jashtëzakonshme dhe arsye sigurie, raportoi “Reuters”.

Urdhri u dha sot, më 13 nëntor 2026, dhe u kërkonte kompanive ajrore, të mbanin në tokë avionët që do të niseshin, deri në një njoftim të dytë.

Sipas raportimeve, vendimi erdhi pas problemeve serioze në komunikimin mes kontrollorëve të trafikut ajror, të cilat fillimisht u evidentuan në Çikago.

Pezullimi preku aeroportet amerikane dhe kishte karakter kombëtar. Megjithatë, nuk bëhej fjalë për ndalimin e të gjitha fluturimeve.

Avionët që ishin nisur tashmë mund të vazhdonin fluturimin dhe të uleshin në destinacion.

Fluturimet ndërkombëtare që mbërrinin në SHBA, do të trajtoheshin rast pas rasti, sipas udhëzimeve të autoriteteve amerikane.

Problemet e komunikimit në sistemin e kontrollit të trafikut ajror, u raportuan fillimisht në zonën e Çikagos dhe më pas situata çoi në vendimin për ndalimin e nisjeve në shkallë kombëtare.

FAA nuk dha hollësi për shkakun teknik të ndërprerjes dhe as për kohëzgjatjen e saj.

Autoritetet nuk konfirmuan nëse bëhej fjalë për një defekt të vetëm apo për disa probleme të njëkohshme në sistemin e komunikimit.

Sipas raportimeve, bëhet fjalë për një nga rastet e rralla, kur autoritetet amerikane kanë urdhëruar ndalimin kombëtar të nisjeve të avionëve.

Një masë e ngjashme ishte marrë në janar 2023, pas një defekti në sistemin e njoftimeve për sigurinë e fluturimeve (NOTAM).

Ndërprerja vjen në një kohë kur SHBA-ja po përballet me nevojën për modernizimin e infrastrukturës së kontrollit të trafikut ajror.

Kongresi kishte miratuar më parë 12,5 miliardë dollarë për përmirësimin e sistemeve të komunikimit të FAA-së.

Situata mbetet në zhvillim, ndërsa kompanitë ajrore dhe pasagjerët, janë udhëzuar të ndjekin njoftimet zyrtare për rifillimin e fluturimeve. /

Lini një koment