Alarm në bazën ushtarake amerikane në Britani, personeli urdhërohet të strehohet pas dyshimeve për dronë të paautorizuar
Një alarm sigurie është dhënë në bazën ushtarake RAF Lakenheath në Mbretërinë e Bashkuar, ku personelit amerikan i është kërkuar të strehohet në ambiente të sigurta pas raportimeve për aktivitet të dyshuar të dronëve të paautorizuar mbi bazë.
Sipas Sky News, personeli i Forcave Ajrore të SHBA-së është udhëzuar të qëndrojë në ambiente të mbyllura, ndërsa autoritetet kanë nisur verifikimet për incidentin.
Një zëdhënës i Forcave Ajrore amerikane konfirmoi se personeli i sigurisë kishte reaguar ndaj pranisë së dyshuar të dronëve, duke theksuar se nuk ka pasur të lënduar dhe as dëme në avionë apo infrastrukturën e bazës.“Këtë mbrëmje, personeli i Forcave të Sigurisë së USAF iu përgjigj aktivitetit të dyshuar të paautorizuar të dronëve mbi RAF Lakenheath. Asnjë personel, avion apo infrastrukturë nuk u prek”, deklaroi zëdhënësi.
Ai shtoi se Forcat Ajrore amerikane po bashkëpunojnë ngushtë me autoritetet britanike për të garantuar sigurinë e personelit ushtarak, civilëve, kontraktorëve dhe familjeve të tyre.
Ndërkohë, deputeti lokal Nick Timothy bëri të ditur përmes një reagimi në rrjetet sociale se kishte qenë në kontakt me autoritetet dhe se nuk ekzistonte asnjë kërcënim për publikun.
Sipas tij, incidenti tashmë është zgjidhur.
Sky News ka siguruar gjithashtu një kopje të alarmit të dërguar personelit të bazës, ku kërkohej që të gjithë të strehoheshin në vend. Mesazhi ishte shkruar me shkronja kapitale, ndërsa shprehja “BOTA REALE” ishte theksuar me ngjyrë të kuqe.
RAF Lakenheath është një nga bazat më të rëndësishme të Forcave Ajrore amerikane në Mbretërinë e Bashkuar dhe strehon një numër të konsiderueshëm trupash dhe avionësh luftarakë amerikanë.