E shtunë, 14 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Bota›KOMENT – IA aleatja e re e blerësve gjatë Black Friday

KOMENT – IA aleatja e re e blerësve gjatë Black Friday

ROMË, 14 nëntor /ATSH-ANSA/ – Inteligjenca artificiale po bëhet një mjet gjithnjë e më i përdorur për krahasimin e çmimeve dhe gjetjen e ofertave gjatë Black Friday.
Eksperti financiar Andrea Palmas këshillon që teknologjia të përdoret për të marrë vendime më të informuara, pa harruar përgjegjësinë financiare.

Black Friday, që këtë vit shënohet më 27 nëntor, tashmë nuk kufizohet vetëm në një ditë ofertash.

Fushata e uljeve të çmimeve është zgjeruar në një periudhë më të gjatë, duke përfshirë edhe Cyber Monday dhe ditët në vijim, si pjesë e sezonit të blerjeve për festat e fundvitit.

Reklamat me premtime për oferta të jashtëzakonshme, ulje çmimesh dhe mundësi që nuk duhen humbur, janë gjithnjë e më të pranishme.

Për konsumatorët, kjo periudhë shoqërohet me një dilemë të vazhdueshme mes dëshirës për të kursyer dhe tundimit për të blerë produkte që paraqiten si oferta të favorshme.

Këtë vit, në ndihmë të konsumatorëve vjen edhe një aleat i ri: inteligjenca artificiale (IA).

Mjete si Gemini i Google, ChatGPT i OpenAI dhe Claude i Anthropic po përdoren gjithnjë e më shumë për kërkimin e produkteve, krahasimin e çmimeve dhe identifikimin e ofertave.

Sipas të dhënave të YouGov, gati katër në dhjetë italianë (38%) parashikojnë të bëjnë blerje gjatë Black Friday ose Cyber Monday.

Mes tyre, 39% kanë përdorur më parë inteligjencën artificiale si mbështetje gjatë blerjeve, ndërsa 26% të tjerë planifikojnë ta përdorin për herë të parë këtë vit.

Megjithëse përdorimi i IA-së në Itali mbetet më i ulët se në tregje si Arabia Saudite (54%) dhe India (50%), ai është më i lartë se në disa vende evropiane, përfshirë Gjermaninë (20%), Danimarkën (19%) dhe Mbretërinë e Bashkuar (15%).

Ndërkohë, sipas Adobe, 77% e konsumatorëve që kanë përdorur inteligjencën artificiale për blerjet online deklarojnë se ndihen më të sigurt në vendimet e tyre të blerjes.

Një nga shqetësimet kryesore të konsumatorëve gjatë Black Friday mbetet vërtetësia e uljeve të çmimeve.

Sipas YouGov, 44% e blerësve potencialë e konsiderojnë të vështirë të kuptojnë nëse zbritjet janë reale.

Kjo përqindje rritet në 54% te grupmoshat më të mëdha, ndërsa 39% identifikojnë si sfidë gjetjen e ofertës më të mirë.

Rreth 48% e konsumatorëve do ta përdornin inteligjencën artificiale për të gjetur çmimin më të mirë, por vetëm 6% do t’i besonin asaj për të përfunduar një blerje. Për gjetjen e ofertave, 61% shprehen se i besojnë IA-së, krahasuar me 79% që preferojnë faqet e shitësve me pakicë.

Pra, të paktën për momentin, inteligjenca artificiale shihet kryesisht si një asistent në procesin e blerjes dhe jo si një vendimmarrës.

Duke komentuar ndikimin e teknologjisë në sjelljen e konsumatorëve, divulgatori financiar

Andrea Palmas thekson se lehtësimi i procesit të kërkimit dhe blerjes mund të ndihmojë në marrjen e vendimeve më të mira, por njëkohësisht mund të nxisë shpenzime impulsive.

“Inteligjenca artificiale dhe teknologjitë e reja e bëjnë më të lehtë kërkimin, krahasimin dhe blerjen. Kjo lehtësi mund të na ndihmojë të zgjedhim më mirë, por njëkohësisht redukton hapësirën kohore mes dëshirës dhe pagesës, kohë që mund të na shërbejë për të vlerësuar një shpenzim”, shprehet Palmas.

Sipas tij, lehtësia e një blerjeje dhe përballueshmëria e saj ekonomike janë dy çështje që duhen shqyrtuar veçmas.

Ai nënvizon se rekomandimet e gjeneruara nga inteligjenca artificiale mund të duken bindëse dhe të përshtatura për nevojat personale, por cilësia e tyre varet nga saktësia e informacionit dhe konteksti që merret në konsideratë.

“Preferencat për blerje dhe aftësia për të përballuar shpenzimet nuk janë e njëjta gjë. Për të vlerësuar këtë të fundit, duhet të marrim parasysh edhe detyrimet financiare ekzistuese dhe objektivat personale”, thekson ai.

Palmas këshillon që inteligjenca artificiale të përdoret për të zgjeruar alternativat, për të verifikuar çmimet dhe për të kuptuar më mirë produktet që synojmë të blejmë.

Megjithatë, ai nënvizon rëndësinë e një momenti reflektimi përpara pagesës dhe të vlerësimit të kostos së plotë të blerjes, edhe kur pagesa ndahet në këste.

“Teknologjia mund ta thjeshtojë procesin, ndërsa ndërgjegjësimi financiar na ndihmon t’i japim drejtimin e duhur. T’u besosh zgjedhjeve të tua do të thotë të kuptosh arsyet dhe pasojat e tyre, edhe kur mbështetemi te një asistent digjital”, përfundon Palmas.

Në një periudhë të dominuar nga ofertat dhe reklamat joshëse, inteligjenca artificiale mund të jetë një ndihmë e vlefshme për konsumatorët, por vendimi përfundimtar duhet të mbetet i bazuar në nevojat reale dhe mundësitë financiare të secilit./ a.jor.

Lini një koment