Gruaja vdes pasi iu përkeqësua gjendja gjatë kontrollit në QKMF në Klinë
Një grua ka ndërruar jetë pasi gjendja e saj shëndetësore u përkeqësua gjatë kontrollit mjekësor në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Klinë, njofton KosovaPress, duke iu referuar raportit të Policisë së Kosovës.
Sipas raportit policor, ngjarja ka ndodhur më 13 nëntor, rreth orës 13:45. Gruaja fillimisht ishte dërguar për trajtim në QKMF, por gjatë kontrollit gjendja e saj shëndetësore u përkeqësua.
Siç njofton KosovaPress, viktima me autoambulancë është nisur drejt Spitalit Rajonal të Pejës, ku me të mbërritur atje mjekët kanë konstatuar vdekjen e saj.
Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion. Policia e ka klasifikuar rastin si “Hetim i vdekjes”, ndërsa shkaku i vdekjes ende nuk është bërë i ditur.