Skandali i korrupsionit në përmasa të pazakonta në Hungari, gjenden 20 mln euro të groposura në pyje! Dyshohet se janë të ish-ministrit të Orbanit
Autoritetet hungareze kanë zbuluar dhe sekuestruar rreth 19.5 milionë dollarë në para të gatshme, të cilat ishin fshehur në vende të ndryshme, përfshirë pyje, ndërtesa bujqësore, depo dhe prona banimi. Zbulimi është bërë në kuadër të një hetimi për korrupsion ndaj një ish-ministri të kabinetit të ish-kryeministrit nacionalist Viktor Orbán.
Në qendër të hetimit është Miklós Seszták, i cili ka mbajtur postin e ministrit të Zhvillimit Kombëtar të Hungarisë nga viti 2014 deri në vitin 2018. Ai dyshohet për marrje ryshfeti në një skemë që lidhet me kompaninë shtetërore të transportit, përmes blerjes së autobusëve të përdorur me çmime të fryra.
Operacioni është zhvilluar të enjten dhe të premten, kur hetuesit e Zyrës Kombëtare të Rimëkëmbjes dhe Mbrojtjes së Pasurive (NVVH) kanë kontrolluar disa ambiente në kuadër të procedimit penal ndaj ish-ministrit.
Sipas deklaratës së autoriteteve, gjatë kontrolleve janë gjetur shuma të konsiderueshme parash, të groposura në pyje, të fshehura në ndërtesa bujqësore dhe depo, si dhe të ruajtura në prona banimi e kasaforta të sigurisë së lartë në zona të izoluara.
Vlera totale e parave të sekuestruara arrin në 5 miliardë e 71 milionë e 632 mijë forinta hungareze, 2 milionë e 658 mijë e 350 euro dhe 1 milion e 257 mijë e 100 dollarë amerikanë. Në total, shuma e zbuluar llogaritet në rreth 19.5 milionë dollarë.
Paratë janë depozituar në llogarinë e Thesarit të Shtetit Hungarez. Ministri i Financave, András Kármán, bëri të ditur se 12 punonjës të Thesarit u angazhuan për tetë orë për numërimin e tyre, duke përdorur pesë makina numërimi.
Zbulimi vjen në një kohë kur Hungaria ka intensifikuar hetimet për dyshimet për korrupsion dhe shpërdorim detyre gjatë 16 viteve të qeverisjes së Viktor Orbán.
Pas fitores dërrmuese në zgjedhjet e prillit, kryeministri i ri Péter Magyar i dha fund sundimit të gjatë të Orbán, duke premtuar hetimin e aferave të dyshuara korruptive dhe vënien përpara përgjegjësisë të personave të përfshirë.
Në javët e fundit, hetimet kanë përfshirë edhe figura të tjera të lidhura me ish-qeverinë. Përveç Seszták, në raste të ndryshme janë ndaluar edhe dy ish-ministra të tjerë të periudhës së Orbán, si dhe vëllai i ish-kryeministrit.
Kryeministri Magyar e ka përshëndetur sekuestrimin e parave, duke e cilësuar atë si një moment të rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit.
“Ky është fundi zyrtar i mafies Fidesz-KDNP!”, deklaroi Magyar, duke iu referuar ish-koalicionit qeverisës të drejtuar nga Orbán.
Ndërkohë, ish-kryeministri Viktor Orbán nuk ka reaguar ende për sekuestrimin e fundit. Në deklaratat e mëparshme, ai i ka cilësuar hetimet ndaj njerëzve të rrethit të tij si “persekutim politik”, duke pretenduar se ato synojnë edhe burgosjen e tij.