E shtunë, 14 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Bota›SHBA – Administrata Trump kërkon 50 miliardë dollarë për kontrollin ajror pas kaosit në fluturime

SHBA – Administrata Trump kërkon 50 miliardë dollarë për kontrollin ajror pas kaosit në fluturime

– Administrata e presidentit Donald Trump ka rritur në 50 miliardë dollarë kërkesën për financimin e sistemit të kontrollit të trafikut ajror në SHBA, pas një defekti në komunikim që shkaktoi pezullimin kombëtar të fluturimeve për disa orë dhe ndërpreu mijëra udhëtime, sipas Reuters.

Fillimisht, sekretari i Transportit, Sean Duffy, dhe Shtëpia e Bardhë kishin kërkuar 30,1 miliardë dollarë për përmirësimin e aeroporteve dhe infrastrukturës së vjetëruar të kontrollit ajror.

“Kjo është një emergjencë. Çfarë mund të jetë më e rëndësishme sesa të kemi një sistem të kontrollit të trafikut ajror që funksionon realisht?”, deklaroi Duffy.

Problemi i fundit preku qendrat e kontrollit të FAA-së, të cilat menaxhojnë lëvizjen e avionëve ndërmjet aeroporteve. Komisioni i Tregtisë i Senatit amerikan theksoi se incidenti tregon nevojën për t’i dhënë përparësi modernizimit të këtyre qendrave.

Sipas planit të administratës, 10,1 miliardë dollarë do të përdoren për modernizimin e kontrollit ajror, përfshirë 7,2 miliardë dollarë për një platformë të përbashkët automatizimi dhe pajisje të reja për kontrollorët, si dhe dy miliardë dollarë për teknologjinë cloud.

Ndërkohë, dy miliardë dollarë të tjerë parashikohen për zëvendësimin dhe përmirësimin e kullave të kontrollit, ndërsa 18 miliardë dollarë do të shkojnë për projektet infrastrukturore të aeroporteve, përfshirë terminalet e vjetëruara.

Infrastruktura amerikane e kontrollit ajror vazhdon të mbështetet në teknologji disa dekadëshe.

FAA përdor ende kompjuterë të vjetër dhe pjesë këmbimi të siguruara përmes faqeve të ankandeve në internet.

Agjencia ka njoftuar gjithashtu se do të zëvendësojë deri në fund të vitit 2028 disketat që përdoren për transmetimin e të dhënave meteorologjike dhe informacioneve të tjera kritike në më shumë se 400 struktura të kontrollit ajror.

Kërkesa e re financiare vjen pas disa incidentesh që kanë shkaktuar vonesa dhe anulime masive fluturimesh, përfshirë përplasjen ajrore në janar 2025 pranë aeroportit Ronald Reagan në Uashington, ku humbën jetën 67 persona.

Kompanitë kryesore ajrore, përfshirë “American Airlines”, “Delta”, “United” dhe “Southwest”, kanë shprehur mbështetje për financimin.

Administrata i ka kërkuar Kongresit të miratojë fondet brenda javëve të fundit të vitit, përpara se demokratët të marrin kontrollin e Kongresit në janar. /Ad.Ab./ a.jor

Lini një koment