E shtunë, 14 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Lajme nga Shqiperia›Rama për protestat: Kanë hedhur gurë e molotovë, tani është koha që të flasim ne me qytetarët në çdo lagje e fshat

Rama për protestat: Kanë hedhur gurë e molotovë, tani është koha që të flasim ne me qytetarët në çdo lagje e fshat

Kryeministri Edi Rama ka komentuar protestat e zhvilluara gjatë javëve të fundit në vend, duke deklaruar se protestuesit kanë përdorur gurë dhe molotovë, ndërsa paralajmëroi një angazhim më të madh të socialistëve në komunikimin me qytetarët.

Gjatë fjalës së tij në Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste, Rama tha se opozita dhe protestuesit kanë pasur hapësirën e tyre për të shprehur qëndrimet, ndërsa sipas tij, tashmë ka ardhur momenti që socialistët të dalin në terren dhe të komunikojnë drejtpërdrejt me njerëzit.

“I kanë thënë të tëra, i kanë ulëritur të tëra, i kanë shkruar gurët e bulevardit dhe kanë hedhur molotovët që nuk ishin hedhur në 35 vite liri. Por fjala jonë nuk është thënë akoma. Tani është koha të flasim ne, në çdo lagje dhe çdo fshat. Të flasim me çdo shqiptar që nuk i frikësohet dialogut”, u shpreh Rama.

Kryeministri u ndal edhe te nisma “Prania Besnike”, të cilën e cilësoi si një instrument për të kuptuar më nga afër shqetësimet e komuniteteve dhe për të zgjeruar praninë politike të PS-së në të gjithë territorin.

Rama theksoi se mandati i marrë nga socialistët nuk duhet parë thjesht si një periudhë katërvjeçare qeverisjeje, por si një mision që kërkon komunikim dhe llogaridhënie të vazhdueshme përpara qytetarëve.

“Një mandat si ky nuk është një mandat katërvjeçar i radhës, është një mision i ngarkuar nga një popull i tërë dhe nuk zhbëhet dot nga askush. Është një mision, jo një e drejtë për të mos dhënë shpjegime kur njerëzit i kërkojnë dhe aq më pak një e drejtë për të mos qenë te njerëzit më shumë se sa çdo herë më parë”, deklaroi kreu i qeverisë.

Lini një koment