Situata pas reshjeve në qarkun e Shkodrës, probleme me qarkullimin në Shalë dhe Kamicë
Pas reshjeve të shiut gjatë natës së djeshme, situata në territorin e qarkut të Shkodrës këtë të shtunë, paraqitet përgjithësisht e qëndrueshme.
Në Bashkinë Shkodër, deri në këto momente nuk raportohen përmbytje në banesa. Në Njësinë Administrative Shalë vijon puna për pastrimin e inerteve dhe rikthimin e qarkullimit në akset rrugore të bllokuara si pasojë e reshjeve intensive.
Në Bashkinë Malësi e Madhe, në fshatin Kamicë, Njësia Administrative Qendër, prurjet e larta të Përroit të Thatë vijojnë të pengojnë aksesin rrugor, por pa prani te ujit ne banesa.
Ndërsa, në Bashkitë Vau i Dejës, Pukë dhe Fushë-Arrëz, deri në këto momente nuk raportohen problematika nga strukturat e Mbrojtjes Civile.
Sipas informacionit të Drejtorisë së Ujitjes dhe Kullimit Lezhë, gjatë 48 orëve të fundit janë regjistruar reshje të konsiderueshme në zonat malore, ndërsa në zonat fushore rreth 25 mm reshje. Aktualisht nuk raportohen dëmtime apo probleme në infrastrukturën e kullimit dhe mbrojtjes nga ujërat.
Ndërkohë, vijojnë inspektimet përgjatë lumit Kir për monitorimin e situatës.