Policia e Kosovës me plan operativ për ndeshjen Kosovë–Izrael
Policia e Kosovës ka ndërmarrë masa të shtuara sigurie për ndeshjen e sotme, të shtunën, në stadiumin “Fadil Vokrri”, duke paralajmëruar ndërprerje të përkohshme të qarkullimit gjatë lëvizjes së eskortës së ekipit mysafir, siç njofton Telegrafi.
Përmes një komunikate, Policia ka bërë të ditur se ka përgatitur dhe është duke zbatuar një plan operativ për të garantuar sigurinë para, gjatë dhe pas ndeshjes së Ligës së Kombeve ndërmjet Kosovës dhe Izraelit, që zhvillohet sot në orën 15:00 në kryeqytet.
Masat kanë nisur që nga ardhja e ekipit mysafir në Kosovë, duke përfshirë përcjelljen e ekipit dhe ofrimin e sigurisë sipas itinerarit të lëvizjes dhe gjatë qëndrimit të ekipit dhe stafit të tij në vend.
Gjatë lëvizjes së eskortës sot do të ketë kufizime apo ndërprerje të përkohshme të trafikut rrugor, ndaj Policia kërkon mirëkuptimin e qytetarëve dhe të pjesëmarrësve në trafik.
Policia do të vazhdojë aktivitetet në koordinim dhe mbështetje të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), duke bashkëpunuar edhe me kompanitë që ofrojnë sigurinë, për parandalimin e çfarëdo incidenti të mundshëm. Njëkohësisht përsëriten kërkesat e FFK-së që shikuesit të paraqiten me kohë në stadium, të mos marrin me vete gjësende të palejuara apo mjete të rrezikshme dhe të posedojnë biletat e dokumentet identifikuese gjatë hyrjes në stadium.
Policia falënderon qytetarët për bashkëpunim dhe mirëkuptim në interes të sigurisë së përgjithshme dhe i fton që për çdo informacion apo rast të kontaktojnë Policinë në numrin 192.